Kreditimi nga sektori bankar është tkurrur gjatë shtatorit të këtij viti, krahasuar me shtatorin e kaluar, por edhe me muajin gusht të këtij viti, tregojnë shifrat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Kështu, huaja e re gjatë shtatorit fiksohet pranë 20.5 miliardë lekëve, nga rreth 20.97 miliardë lekë që ishte në shtatorin e vitit të kaluar, apo 20.7 miliardë lekë që ishte në shtatorin e vitit 2020, sinjalizojnë shifrat.
Nga ana tjetër, gushti i këtij viti, regjistronte rreth 27.4 miliardë lekë kredi të re, në të gjitha valutat dhe për të gjitha segmentet, si për kompanitë publike ashtu edhe për biznesin dhe individët.
Sa i përket kredisë së re për sektorin privat jo financiar, shifrat tregojnë se gjatë shtatorit të këtij viti ka prekur nivelin më të ulët që prej vitit 2018, në terma vjetorë, me rreth 13 miliardë lekë.
Vetëm në shtator të vitit 2018-të kjo shifër ka qenë më e ulët, pranë rreth 10 miliardë lekëve, ndërkohë që në vitet 2019, 2020, dhe 2021 varionte pranë niveleve thuajse të njëjta, pranë rreth 14.6 miliardë lekëve.
LEXO EDHE: Kush do ta paguajë kredinë e shtëpisë në rast fatkeqësie nëse nuk je i siguruar?