Me nisjen e vitit 2024 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dy gjinitë. Kjo pasi, sipas reformës, që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, parashikohet një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit.
Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 61 vjeç e 8 muaj, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032.
Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.
Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë.
Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2024 duhet të ketë 38 vjet e 4 muaj.
E njëjta logjikë vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë.
Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij.
Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë.
PSE NEVOJITET PENSIONI PRIVAT?
Një nxitje e re skemës së pensioneve private i erdhi në fund të vitit të shkuar kur më datë 6 nëntor 2023, Kuvendi miratoi ligjin Nr.76.
Ky ligj nuk është thjesht një përditësim i rregullave por një ndryshim i thellë që synon të inkurajojë si individët ashtu edhe punëdhënësit që t’i shohin fondet e pensionit privat si alternativën më të favorshme për të siguruar një pension shtesë krahas atij shtetëror ndërkohë që përafron legjislacionin me direktivat evropiane.
Ligji i ri, sipas ekspertëve, ofron benefite monetare si rrjedhojë e lehtësive fiskale të aplikuara, e rritjes së standardit të shërbimit, administrimit të fondit nga ana e shoqërive administruese, dhe rritjes së garancive që ofron fondi.
Por, për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
- Më shumë se 2-fishim i kontributeve të zbritshme të lejuara
Është rritur kufiri maksimal vjetor i zbritshëm për efekt tatimi mbi të ardhurat personale, nga një vlerë fikse e pandryshuar prej vitit 2009 prej 200,000-250,000 Lekë në varësi të moshës (respektivisht nën 50 vjeç-mbi 50 vjeç), në pagën minimale vjetore prej 480,000 Lekë. I njëjti limit – paga minimale vjetore për çdo punonjës (480,000 Lekë) – vlen edhe për punëdhënësit që kontribuojnë për pensionin privat të punonjësve të tyre, i cili njihet si shpenzim i zbritshëm për efekt të tatimit të fitimit. Ju mund të kurseni tani më shumë për pension dhe njëkohësisht mund të paguani më pak tatim mbi të ardhurat për kontributin tuaj.
- Përfitim fiskal monetar i drejtpërdrejtë dhe disiplinim i tërheqjes së pensionit në mënyrë periodike
Nëse ju zgjidhni të dilni në pension, edhe 5 vite para moshës së përcaktuar, nuk do t’ju tatohet e gjithë vlera e përftuar (si në ligjin e vjetër), por vetëm e ardhura nga interesi i investimit. Kushti i vetëm për këtë është që ju të bëni tërheqje në baza mujore për të paktën një periudhë 2-vjeçare, jo tërheqje të menjëhershme të të gjithë vlerës së investimit.
- Risia e një fondi të mbyllur pensioni dhe personalizimi i planit të pensionit për punonjësit
Je punëdhënës ose bën pjesë në një grupim punëdhënësish si sindikatë apo shoqatë? Tashmë iu ofrohet mundësia jo vetëm e të krijuarit fond pensioni me pjesëmarrje të hapur (si në ligjin e vjetër), por edhe ajo e të krijuarit një fond pensioni të mbyllur. Me pjesëmarrje të punonjësve apo anëtarëve të sipërmarrjes tuaj, sikurse me kushte dhe elementë të përcaktuara nga vetë ju, siç janë tarifa e administrimit, politika e investimit, vesting period, etj.
- Transparencë dhe informacion i detajuar për anëtarët e fondit
Ju do të informoheni për kontributet tuaja në formë transparente nga shoqëritë administruese. Konkretisht, do të pajiseni një here në vit me vërtetimin mbi gjendjen e llogarisë personale; do të keni akses në llogarinë personale për të kontrolluar në çdo kohë të gjitha lëvizjet e mundshme financiare, si dhe do t’ju vendoset në dispozicion prospekti i fondit, raporte të ndërmjetme dhe vjetore, si dhe pasqyra financiare të audituara.
- Mundësi më të shumta për investim
Ligji i ri ofron një gamë të zgjeruar instrumentash financiare, që ju të investoni asetet e fondit të pensionit, të diversifikoni portofolin dhe të siguroni një normë kthimi të përshtatshme. Instrumentat e parashikuar financiarë janë aksionet dhe kuotat e sipërmarrjeve të liçensuara kolektive në Shqipëri, si dhe titujt e borxhit të emetuara nga bankat që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar.
- Favorizim të punëdhënësve në skemën e tyre të pensionit për punonjësit
Ndryshe nga ligji i vjetër ku punonjësit i duhej t’i qëndronte besnik punëdhënësit të tij për të paktën dy vite që të përfitonte kontributet e paguara prej tij, me ligjin e ri, punonjësit i duhen tashmë 5 vite. Nëse ju që po e lexoni këtë artikull jeni punëdhënës, kjo pikë ju favorizon në skemën tuaj të pensionit.
- Tarifa më të ulëta të administrimit dhe afate më të shkurtra të pagesës së përfitimit
Është vendosur një maksimum më i ulët i tarifës së administrimit, krahasuar me ligjin e mëparshëm, nga 3% në vit mbi vlerën neto të aseteve në 2.5%. Gjithashtu, janë shkurtuar afatet e pagesës së përfitimit të pensionit, nga 30 ditë në 15 ditë.
Për të planifikuar një takim ose për të mësuar më shumë rreth pensionit privat, kontaktoni me këshilltarët e “SIGAL Pensions“, fondi më i madh në Shqipëri, të gatshëm t’ju përgjigjen përçdo pyetje që keni.
Bëni një konsultim falas duke telefonuar në +35544511666
Ose duke shkruar në [email protected]