Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në Fletoren Zyrtare është bërë me dije se është bërë një ndryshim në urdhrin “për kufizimin e lëvizjes brenda vendit”.
Bazuar në ligjin , “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, sipas udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, në zbatim të vendimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirus i ri , është ndryshuar togfjalëshi “deri në datë 9.11.2021” dhe zëvendësohet me togfjalëshin “deri në datë 23.11.2021”.
Masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve:
– Prej datës 1 Shtator, ora policore nga 24:00 deri në 06:00 që është sot, do të shkojë në 23:00-06:00.
– Prej datës 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.