Rritja e kredisë për shtëpi nuk po ndalet as në muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt, sektori bankar disbursoi rreth 7.5 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit.
Kredia për shtëpi është në rritje me 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fillimi i ciklit të shtrëngimit të politikës monetare në vitin 2022 krijoi pritshmëri se gradualisht kredia për shtëpi do të ulej, për shkak të normave më të larta të interesit. Deri tani, një gjë e tillë nuk po ndodh, edhe për faktin se, të paktën në monedhën vendase, rritja e interesave rezultoi më e ulët nga sa parashikohej.
Banka e Shqipërisë e ka ndaluar rritjen e normës bazë në nivelin 3.25%. Me rënien e inflacionit gjatë muajve të parë për këtij vit (në nivelin 2.6% për shkurtin) gjasat për rritje të mëtejshme janë të vogla, të paktën me të dhënat e deritanishme.
Norma relativisht e ulët bazë është reflektuar në yield-e të ulëta të titujve qeveritarë dhe në norma të ulëta interesi të kredisë për sektorin privat.
Norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë në muajin janar këtij viti ra më tej në nivelin 4.65%, nga 5.12% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e normave të interesit e ka bërë kredinë në Lekë mjaft tërheqëse. Të dhënat e bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re në monedhën vendase për individët u rrit me 78% në dy muajt e parë të këtij viti.
Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.23% në nëntor 2023, nga 4.55% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Tek kredia në Euro u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimin monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e Euriborit.
Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se të paktën një e treta e transaksioneve në tregun e pronave financohen me kredi bankare. Vijimësia e rritjes së kreditimit po vazhdon të mbështesë kërkesën në tregun e pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë bankare për prona vlerësohen me shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që në deklaratën e fundit për Shqipërinë i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar. Sipas FMN, vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.
Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike nga FMN mbështeten kryesisht në zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.
Sigurimi në vlerën e plotë të banesës suaj
Duke qenë se çmimet në Tiranë dhe zonat urbane rriten çdo vit, blerja e një apartamenti bëhet sfide sepse i shtohet dhe presioni i kohës për të mos mbartur edhe kostot e rritjes se çmimeve të tyre.
Dhe në këto raste, një mjet ndihmues është kredia bankare.
Kreditë për shtëpi janë produkti që edhe bankat reklamojnë dhe ofrojnë më së shumti. Por ka disa detaje, të cilave nuk u vemë shumë rëndësi, po që në thelb janë jetike për secilin nga ne sikurse është “Sigurimi i Shtëpisë” dhe të kuptuarit saktë se çfarë mbulon dhe dëmshpërblen në rast dëmtimi nga shkaqe të ndryshme qe citohen respektivisht në policën e sigurimit.
Shumë e rëndësishme është të kuptohet diferenca e “Sigurimit të apartamentit me përfitues Bankën në vlerën e kredisë që merret për blerjen e tij” dhe “Sigurimit të apartamentit për vlerën reale të tij”.
Pse?
Banka ka siguruar kredinë, çka do të thotë, në rast se shtëpia, kolateral garancie për pagimin e kredisë, dëmtohet atëherë kompania e sigurimit ka vetëm detyrim ti paguaj bankës kredinë tuaj. Ju nuk keni më borxh financiar ndaj bankës por ndërkohë jeni pa shtëpi!
Çfarë duhet të bëjmë?
Blini policën e sigurimit me mbulim vlerën e plotë të banesës apo biznesit tuaj.
Një shembull: Në qoftë se blini një apartament me vlerë 100 mijë euro; 50 mijë euro kursime tuajat dhe 50 mijë euro kredi nga banka. Në rast dëmi, kompania e sigurimit mbulon vetëm 50% të dëmeve të shkaktuara dhe pjesën tjetër duhet ta përballoni me financat tuaja.
Kjo është e vlefshme dhe për rastet kur ka dëmtime pjesore, për shembull një dëm me kosto 2 mijë euro, sigurimi mbulon vetëm 50% të dëmit, pra 1 mijë euro. Ndërsa pjesën tjetër, 1 mijë euro, duhet ta rregulloni nga buxheti juaj.
A më duhet “Sigurimi i Shtëpisë” nëse nuk kam më një kredi?
Nëse ju e keni blerë shtëpinë tuaj me kredi, banka ju kërkon të blini Sigurimin e Shtëpisë, e cila ju mbulon dëmet për shumën që jeni kredituar.
Por nëse ju e keni shlyer kredinë tuaj, a është e nevojshme të vazhdoni të keni këtë sigurim? Po. Për dy arsye shumë të rëndësishme:
- Polica e Sigurimit të Shtëpisë është një mënyrë shumë e mirë për të mbrojtur shtëpinë tuaj dhe çfarë ka brenda saj.
- Ky sigurim do tju ndihmojë të paguani zëvendësimin e dëmtimeve, përfshirë edhe në orenditë që mban shtëpia, qofshin moblije apo elektroshtëpiake nëse ato shkatërrohen nga zjarri apo tërmeti.
Sa i rëndësishëm është Sigurimi i Shtëpisë?
Sipas ekspertëve të sizmiologjisë, Shqipëria është një vend me veprimtari të theksuar sizmike. Ajo është goditur shpesh nga tërmete të fuqishme.
Për këtë arsye, Sigurimi i Shtëpisë apo Biznesit tuaj është thelbësore për të shmangur të papritura që mund të rrënojnë financat tuaja.
Sigurimet as nuk i parandalojnë, as nuk i stopojnë tërmetet. Sigurimet rikthejnë financiarisht në gjendjen përpara tërmetit. Çka do të thotë se ato bëjnë të gjitha llojet e rimbursimeve, nëse je i siguruar.
Ndaj, të qënurit i siguruar në çdo kohë është zgjidhja më e mirë për çdo të papritur që mund të na godasë.
LEXO EDHE: Sigurimi i Pronës nga zjarri dhe tërmeti, një temë sa e rëndësishme aq edhe aktuale