“Mot me shi dhe temperatura më të ulëta!”
Ky ishte parashikimi i motit nga sinoptikani i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak Elvi Jahaj në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Top Channel.
Sipas tij fundjava do jetë me kushte atmosferike të qëndrueshme, ku temperaturat do shkojnë deri në 29 gradë, ndërsa nga e hëna fillon shiu dhe temperaturat do ulen deri në 3-4 gradë.
“Sa i përket fundjavës që kemi përpara vendi ynë do ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, ndërsa moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin. Temperaturat në mëngjes në këtë fundjavë do të mbeten përsëri të freskëta me vlera 9-15 gradë, ndërsa në mesditë ato do të mbeten relativisht të larta me vlera 26-29 gradë celsius. Duke filluar nga java e ardhshme, nga dita e hënë, e martë dhe më tutje mbi vendin tonë pritet depërtimi i masave ajrore të paqëndrueshme dhe të lagështa me origjinë veriperëndimore.
Moti parashikohet kryesisht i vranët, por edhe me intervale të shkurtra kthjellimesh. Vranësirat kryesisht për ditën e hënë dhe ditën e martë, do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar. Por hera herës dhe kryesisht për ditën e martë, vranësirat dhe reshjet do të jenë me intensitet mesatar dhe hera herës dhe të larta. Sa i përket temperaturave për javën që presim, në vlerat minimale pritet të mbeten në të njëjtat vlera pra 9-16 gradë celsius, ndërsa në mesditë pritet një rënie e tyre deri në 3-4 gradë”, është shprehur sinoptikani.
LEXO EDHE: Banesa, biznesi dhe automjeti/ Si të mbrojmë investimet tona nga “tekat” e motit