Italia mund të heqë detyrimin për mbajtjen e maskës në të gjithë territorin e saj prej datës 11 Shkurt.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë i thanë agjencisë së lajmeve ANSA se vendimi është duke u diskutuar dhe do të jetë një shenjë shprese për italianët.
Të njëjtat burime thanë se më pas do të vendoset nëse do të hiqen maskat edhe në zonat e verdha dhe portokalli të rrezikut.
Autoritetet shëndetësore italiane thanë se vala e infeksionit është në rënie dhe në 31 Mars mund të hiqet gjendja e jashtëzakonshme.
Kërkesat për heqjen e kufizimeve dhe rikthimin në jetën normale po shtohen edhe në Gjermani.
E përditshmja gjermane Bild ia bëri këtë kërkesë publikisht qeverisë përmes një artikulli, ku shkruan se nuk ka më arsye për kufizime teksa Omicron po i shndërron infektimet në një virozë të zakonshme. Për këtë i referohet shifrave ditore që po thyejnë çdo rekord të gjithë periudhës së pandemisë, por që nuk e kanë shtuar numrin e të shtruarve në terapinë intensive apo atë të vdekjeve.