Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare publikoi ditën e sotme ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-shkurt 2022.
Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shkurt 2022 kapën vlerën 2,800 milionë lekë, ndërsa numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 167,157 me një rritje prej 19.39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu vijon mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.67% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.31%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.64% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.36% të totalit të tregut.
Si në sigurimet e detyrueshme, edhe në ato vullnetare, kompania më e madhe e sigurimeve rezulton SIGAL UNIQA Group Austria.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 840 milionë lekë.
Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-shkurt 2022 kapën vlerën 623 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 0.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi Vullnetar
Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 40.13% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-shkurt 2022 siguruan mbi 428 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 56.89%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 31.21% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, vihet re një rritje me 1.59% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-shkurt 2022, arritën në rreth 228 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 36.84% në krahasim me periudhën janar-shkurt 2021.
Lexo edhe: Raporti i AMF/ Shqiptarët i besojnë shëndetin SIGAL-it, kompania që paguan më shumë dëme
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2022, arritën rreth 205 milionë lekë, ose 13.78% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dëmet e Paguara Bruto
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 623 milionë lekë, apo 74.21% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
LEXO EDHE: “Shëndeti në Udhëtim”/ 68% e shqiptarëve zgjedhin SIGAL UNIQA, kompania që paguan më shumë dëme