Paratë dhe pasuritë e paluajtshme të sekuestruara nga operacionet policore, kanë një “mbikëqyrje të veçantë”, për të cilën ekziston një agjenci e posaçme; Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Por, si konkretisht funksionon kjo Agjenci?
AAPSK drejtohet nga kryeadministratori dhe ka në përbërje 14 punonjës. Punonjësit e AAPSK janë nëpunës të shërbimit civil.
Në përbërje të AAPSK janë edhe administratorët e ndihmës administratorët e pasurive, numri i të cilëve përcaktohet nga pasuritë e marra në administrim, vështirësitë e menaxhimit të tyre, llojet dhe volumi i punës për administrimin e pasurive etj.
Objekti kryesor i veprimtarisë së kësaj Agjencie është administrimi:
- i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës
- i pasurive të bllokuara, sekuestruara
- i pasurive të tjera, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to
- i provave materiale të konfiskuara dhe shitja e tyre.
Pasuritë e paluajtshme apo të luajtshme të konfiskuara mund të kalojnë në pronësi apo të jepen në përdorim për institucionet shtetërore apo njësitë e qeverisjes vendore.
Vendimin për shitjen, kalimin në pronësi apo dhënien në përdorim të pasurive institucioneve qendrore apo njësive të qeverisjes vendore, për shpërndarjen e të ardhurave nga pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara, si dhe mënyrën e financimit dhe ndarjen e fondit të posaçëm e merr Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit te Organizuar.
Ky komitet përbëhet nga 9 anëtarë, përfaqësues nga institucionet, si pjesë e luftës kundër krimit të organizuar.
Pasuritë e konfiskuara shiten me ankand nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ndërsa pasuritë e sekuestruara që ju bie vlera, nga AAPSK.
Të ardhurat që alokohen në Fondin e Posaçëm mund të përdoren për financimin e projekteve të institucioneve që merren me luftën kundër krimit të organizuar dhe/ose OJF-ve që trajtojnë viktimat e trafikimit të krimit të organizuar.
Burimi: SCAN