Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka publikuar raportin e shërbimeve për periudhën Janar-Gusht 2021.
Bëhet me dije se gjatë kësaj periudhe janë ofruar 1,715,522 shërbime, +29% më shumë se në vitin 2020, ndërsa të ardhurat janë rritur me 39%.
Gjithashtu ka 256% më shumë shërbime risi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020!
Të ardhurat kanë kapur shifrën e 426,211,000 Lekëve nga shërbimet risi gjatë këtij viti ose 272% më shumë se vitin e kaluar.
“Rezultate të tilla të arritura falë mirëadministrimit, përmirësimit të ndjeshëm të shërbimit dhe komunikimit me qytetarët, sistemeve inovative të shërbimeve online dhe informatizimit, modernizimit të infrastrukturës e kushteve të punës, rritjes së sigurisë, digjitalizimit, monitorimit, fiskalizimit, zgjerimit të rrjetit në territor, shërbimeve risi e lehtësimeve të procedurave e burokracive por edhe një ekipi të mirëmotivuar, na japin krahë për të vijuar punën e për të arritur rezultate edhe në sfidat e reja të automotorizimit shqiptar, siç janë kontrolli teknik që kaloi në administrimin ekskluziv të DPSHTRR dhe projekte të tjera historike e investime strategjike si Automotoparku dhe sistem-platforma e-Transport!”, shkruan DPSHTRR në njoftim.
Grafikat pasqyrojnë vetëm të ardhurat e DPSHTRR si agjent tatimor/ndërmarrje me vetëfinancim, % të përcaktuara nga taksa e tarifa shërbimesh dhe të ardhura të tjera takuese që shkojnë në arkën e entit!