Rëndohet bilanci i viktimave nga përmbytjet e mëdha në pjesën veriore dhe qëndrore të Italisë.
Deri tani raportohet për 9 viktima në Forli, Cesena dhe Firenze. Mbi 4 mijë persona nga 24 komuna janë evakuuar ndërsa pamjet që vijnë nga Italia janë apokaliptike.
Dy banorë arritën që të shpëtonin një grua së bashku me fëmijën e saj të shtëpia e të cilëve ishte mbytur.
Mbi 50 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike.
21 lumenj të mëdhenj kanë dalë nga shtrati në rajonin e Emilia Romagna. Banorët thanë se ujërat vërshuan aq shpejtë sa për pak minuta mbushën katet e para.
Presidenti i rajonit Emilia Romagna, Stefano Bonaccini npërmjet një postimi në Twitter u shpreh: “Pak ditë nga përvjetori i tërmetit të parë të vitit 2012, nuk nguroj të them se jemi përpara një tërmeti tjetër për sa i përket shkallës së dëmeve të shkaktuara nga moti i keq në Emilia-Romagna”.
Jo vetëm përmbytje por ajo që e bën edhe më dramatike janë edhe rrëshqitjet e dherave në zonat e Apenineve.
Një nga situatat më kritike është ajo e Ricciones ku urgjenca e spitalit, katet përdhese dhe garazhet u përmbytën.
Dëmet e raportuara në Emilia-Romagna deri tani vlerësohen në rreth 300 milionë euro.
LEXO EDHE: Sigurimi i Detyrueshëm nga katastrofat natyrore, CEO i SIGAL UNIQA tregon hapat që duhen ndërmarrë