Izolimi i plotë në Austri zyrtarisht do të jetë deri më 11 dhjetor, ashtu edhe siç ishte planifikuar, për shkak të rasteve të reja në rritje të koronavirusit të ri (COVID-19).
Parlamenti austriak miratoi vazhdimin e izolimit të katërt në nivel shtetëror për shkak të pandemisë, izolim i cili filloi më 22 nëntor, bëri të ditur agjencia austriake e lajmeve APA.
Sipas këtij vendimi, shitoret e gjërave elementare të cilat deri më tani kanë punuar deri në ora 21:00, deri më 11 dhjetor do të punojnë deri në ora 19:00.
Qeveria miratoi masa të reja për shkak se u regjistrua rritje edhe në numrin e viktimave nga COVID-19.
Njerëzit mund të dalin nga shtëpitë vetëm për shkaqe të caktuara, duke përfshirë blerjen e gjërave ushqimore, shkuarjen në mjek apo për stërvitje.
Qendrat ditore dhe shkollat kanë mbetur të hapura për ata që kanë nevojë, por prindërve u është kërkuar që fëmijët t’i mbajnë në shtëpi nëse është e mundur.
Çfarë do të ndodh pas 11 dhjetorit, varet nga situata në atë moment. Megjithatë, zyrtarët thanë se masat kufizuese do të mbeten në fuqi për personat e pavaksinuar.
Austria ka nivel relativisht të ulët të vaksinimit në krahasim me vendet tjera të Evropës Perëndimore, me pothuajse 67 për qind të banorëve që janë vaksinuar plotësisht.