Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nxjerrë për konsultim “Për njohjen e administruesit të fondeve të investimeve alternative të licencuar në një vend anëtar të BE-së dhe regjistrimin e fondit të investimeve alternative të miratuar në një vend anëtar të BE-së”.
Projektrregullorja është hartuar në mbështetje të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” dhe krijon kushtet për tregtimin në Shqipëri edhe të fondeve të investimeve alternative.
Vitin e kaluar AMF miratoi edhe rregulloren që mundësonte njohjen në Shqipëri të fondeve të zakonshme të investimit në instrumente financiare, të licencuara në vendet e BE-së.
Administruesit e fondeve të investimeve alternative të licencuar në një vend anëtar të BE-së mund të njihen edhe në Shqipëri, me kusht që të ketë në zbatim marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet autoritetit të vendit të origjinës së administruesit të fondeve të investimeve alternative dhe AMF-së dhe pasi subjekti që aplikon për njohje.
I njëjti kriter do të aplikohet edhe për regjistrimin e fondeve të investimeve alternative, ku kusht do të jetë ketë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet autoritetit rregullator të vendit të origjinës së fondit të investimeve alternative dhe AMF, si dhe të vendit të origjinës së administruesit të fondeve të investimeve alternative dhe AMF.
Kërkesat e transparencës në rregullore parashikojnë se prospekti që do i vihet në dispozicion investitorëve në Republikën e Shqipërisë, duhet të përmbajë një shtojcë me informacionin lidhur me mënyrën e marketimit dhe shitjes së aksioneve ose kuotave të fondit në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, prospekti që u vihet në dispozicion investitorëve, duhet të hartohet në gjuhën shqipe dhe të publikohet në faqen zyrtare të internetit të agjentit të regjistruar, nëpërmjet të cilit administruesi i njohur mund të marketojë dhe të shesë kuotat e fondit të investimeve alternative.
Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që hyri në fuqi në vitin 2020, krijoi edhe në Shqipëri bazën ligjore edhe për Fondet e Investimit Alternative, fonde ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar.
Ligji përcakton si klientë profesionistë subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj.
LEXO EDHE: Fondet e pensionit privat/ Nis zbatimi i ligjit, anëtarët lehtësohen nga taksat
Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë.
Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.
Fondet e Investimeve Alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.
Këto fonde krijojnë mundësi për diversifikim të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri dhe japin më shumë alternativa për investitorët profesionistë.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara, në fund të vitit 2022 totali i aktiveve të fondeve të investimeve alternative arriti në rreth 4.7 miliardë lekë.