Aksidentet rrugore vijojnë të përgjakin rrugët e vendit.
Në raportin më të fundit të publikuar nga INSTAT tregohet se gjatë tre-mujorit të parë 2023, në Shqipëri janë regjistruar 263 aksidente rrugore me 360 persona të përfshirë në to (viktima dhe të plagosur).
Nga 360 në total, viktima janë regjistruar 11 gra dhe 35 meshkuj, ndërsa të plagosur 104 gra dhe 210 meshkuj.
“Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 30,8% të numrit të aksidenteve gjithsej.
Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 6,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin Mars 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të Shtunave.
Në muajin Mars 2023, 41,8% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 17:00-24:00”, raporton INSTAT.
Sa i përket aksidenteve sipas qarqeve, Tirana ka numrin më të lart gjatë 3-mujorit të parë me 167 të tillë. E ndekur nga Durrësi me 58 dhe Lezha me 27.
Edhe viti 2022 ka qenë një vit i përgjakur në rrugët e Shqipërisë. Aksidentet automobilistike kanë qenë të shpeshta dhe fatale për jetën e qytetarëve.
Gjatë vitit të shkuar, në vendin tonë, sipas INSTAT, u regjistruan 1.165 aksidente rrugore me 1.599 persona të aksdentuar (viktima ose të plagosur). Pa harruar aksidentet rrugore të cilat nuk raportohen në polici.
SHKAQET KRYESORE
Ekpertët e sigurisë rrugore por edhe ata të kompanive të sigurimeve, që përballen cdo ditë me rastet e dëmeve shëndetësore dhe materiale nga këto aksidente, rendisin disa shkaqe kryesore:
- Një nga shkaqet më të rëndësishme është drejtimi i mjetit pa praktikën e duhur, drejtimi i tij në moshë të madhe, humbja e reflekseve dhe kontrolli i mjetit.
- Infrastrukura rrugore në disa raste pa asnjë normë qarkullimi, pasi diku punohet e diku zgjerohet, diku tjetër rikonstruktohet por nga ana tjetër lejohet kalimi i automjeteve e të tjera situata si këto, të cilat nuk paralajmërohen pa asnjë shenjë dalluese, pa asnjë sinjalistikë si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës.
- Mjetet tejet të përdorura. Çdokush ëndërron të blejë një makinë, por që të blesh një makinë të re do të thotë të ëndërrosh dyfish. Ajo se çfarë ndodh në Shqipëri është se Qeveria Shqiptare ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë, edhe përmes aplikimit të taksave të ulëta, mjetet e përdorura. Rreth 50 mijë mjete të përdorura shiten çdo vit kundrejt 3000 makinave të reja.
Mungesa e sinjalistikës në rrugët hyrëse e dalëse. Ato rrugë që janë ndërtuar dhe që janë ana pozitive e zhvillimit të vendit janë sot nën sulmin e njerëzve të pandërgjegjshëm, por edhe në papërgjegjshmërinë e strukturave shtetërore për mbrojtjen e rrugëve.
Përdorimi i gomave të konsumuara nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimi i gomave të njëjta si në dimër ashtu edhe në verë ka shkaktuar plot aksidente. Kjo ndodh pasi nuk ka asnjë penalizim për asnjë drejtues mjeti dhe akoma tregtohen goma të përdorura në Shqipëri.
Drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit. Mungesa e kontrollit nga policia dhe drejtimi i automjetit nga përdoruesë nën efektin e alkoolit, përbëjnë arsyet kryesore të rreth 50% të aksidenteve në Shqipëri.
Përdorimi multi-funksional i rrugëve automobilistike duke kaluar në to kamionë, vetura, biçikletam dhe njerëz pa kriter por edhe kafshë duke krijuar anomali në rrugët e Shqipërisë.
Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit. Shpesh flitet që shoferët shqiptarë nuk respektojnë vizat e bardha dhe kjo është e vërtetë, pasi përveç se ato zbehen shpejt, fakti tjetër është që edhe vetë qytetarët nuk i zbatojnë rregullat e kalimit në vijat e bardha.
Rasti më i fundit, që bëri bujë edhe në media, ishte ai në zonën e Astirit në Tiranë ku një qytetar duke kapërcyer pengesat e rrugës, kaloi në anën tjetër të saj duke u përplasur për vdekje nga një automjet.
Merrni masat! Drejtoni automjetin me kujdes! Siguroni veten dhe të tjerët!