Varianti Delta u zbulua për herë të parë para një viti dhe tani është mbizotërues në të gjithë globin. Shkencëtarët janë të shqetësuar se një lloj i ri mund ta zëvendësojë atë.
Çdo javë, një grup epidemiologësh nga e gjithë pjesa verilindore të Shteteve të Bashkuara bashkohet në një takim në Zoom, të dedikuar tërësisht ndaj diskutimit të të dhënave më të fundit të varianteve të reja Covid-19 që raportohen në të gjithë botën.
“Është si raporti i motit,” thotë William Hanage, një epidemiolog në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard TH Chan. “Dikur diskutonim, ‘Kemi pak Gamma atje, kemi Alpha që po vjen këtu.’ Por tani diskutohet vetëm Delta.”
Që kur u zbulua për herë të parë në Indi në dhjetor 2020, varianti Delta i Sars-CoV-2 është bërë aq i përhapur sa do të ishte e lehtë të supozohej se evoluimi dikur i shpejtë i virusit është zëvendësuar nga një gjendje qetësie. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 99.5% e të gjitha sekuencave gjenomike të Covid-19 të raportuara në bazat e të dhënave publike tani janë Delta.
Ndërsa variantet e reja kanë vazhduar të shfaqen, siç është AY 4.2 së fundmi ose varianti Delta Plus në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilin shkencëtarët vlerësojnë se është 10-15% më i transmetueshëm megjithëse nuk ka ende të dhëna të sakta për këtë, ato janë pothuajse identike me variantin Delta, përveç disa mutacioneve të vogla të çuditshme tek-tuk. Hanage i referohet atyre si nipërit e Delta-s.
“Ka pasur mjaft Delta Pluse,” thotë ai. “Kam bërë një intervistë të fundit në radio, ku thashë se Delta Plus është kodi për çdo gjë për të cilën njerëzit po ndihen të bezdisur për momentin. Nuk është jashtëzakonisht shumë më i transmetueshëm.”
Por arsyeja pse Hanage dhe kolegët e tij ende analizojnë bazat e të dhënave si Pangolin dhe Nextstrain çdo javë dhe qëllimi i takimeve të tyre të rregullta në Zoom, është të përpiqen të parashikojnë se çfarë mund të vijë më pas. A është Delta vërtet fundi i Covid-19 apo diçka më ogurzezë pritet në të ardhmen? Kjo është një pyetje për përgjigjen e së cilës askush nuk është plotësisht i sigurt.
Njëra nga mundësitë është që pas ndryshimeve fillestare të konsiderueshme në sekuencën e tij gjenetike, që shkaktoi fillimin e Alpha-s e më pas Delta-n, Sars-CoV-2 tani do të pësojë mutacione të ngadalta dhe në mënyrë të vazhduar, duke iu shmangur përfundimisht efektit të vaksinave aktuale, por kjo vetëm pas shumë vitesh. Ndërsa shkencëtarët janë duke u munduar të sqarojnë se parashikimet e tyre janë kryesisht spekulime të bazuara në informacion, disa e perceptojnë këtë si rezultatin më të mundshëm.
“E pres që lloji i evoluimit që do të shohim është më shumë diҫka që ne e quajmë zhvendosje antigjenike, ku virusi evoluon gradualisht për t’i shpëtuar sistemit imunitar,” thotë Francois Balloux, drejtor i Institutit të Gjenetikës UCL. “Për gripin dhe koronaviruset e tjera e dimë shumë mirë që duhen rreth 10 vjet që virusi të akumulojë mjaftueshëm ndryshime që të mos njihet nga antitrupat në gjak.”
Por alternativa është shfaqja e papritur e një lloji krejtësisht të ri, me transmetueshmëri, virulencë ose karakteristika imuno-evazive shumë të larta. Ravi Gupta, profesor i mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Kembrixhit, i referohet këtyre llojeve si “super variante” dhe thotë se është 80% i sigurt se një tjetër do të shfaqet. Pyetja është se kur.
“Ne kemi një pandemi Delta për momentin,” thotë Gupta. “Varianti i ri i Delta Plus është relativisht i dobët në krahasim me atë lloj gjëje për të cilën po flas. Ka dy mutacione nga lloji Delta, nuk mendoj se janë aq shqetësuese dhe nuk janë përhapur shumë në vendet e tjera. Por është e pashmangshme që do të ketë një variant tjetër të rëndësishëm në dy vitet e ardhshme, i cili do të konkurrojë me Delta-n dhe mund ta kalojë Delta-n.”
Ka një sërë mënyrash nga të cilat ky variant i ri mund të lindë.
A do të kemi një super variant?
Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, epidemiologët filluan të vënë re shenja të një fenomeni shqetësues të njohur si rikombinimi viral, në të cilin versione të ndryshme të Sars-CoV-2 shkëmbyen mutacione dhe u kombinuan për të formuar një variant krejtësisht të ri.
Fatmirësisht, Gupta thotë se rikombinimi nuk duket të jetë aq i zakonshëm, por mbetet një burim i mundshëm i një super varianti të ri, veçanërisht në ato pjesë të botës ku numri i të pavaksinuarve mbetet i konsiderueshëm dhe mutacionet virale mund të qarkullojnë lirshëm. “Tani që Delta është në masën dërrmuese virusi kryesor, kjo është bërë më pak e mundshme,” thotë ai. “Por ka pjesë të mëdha të planetit nga të cilat ne nuk po i marrim mostrat dhe nuk e dimë se çfarë po ndodh. Pra, është një mundësi shumë reale.”
Mundësia e dytë është një seri mutacionesh të mëdha, të cilat rezultojnë në një version shumë të përmirësuar të Delta-s ose në diçka shumë të ndryshme. Mendohet se ka gjasa të konsiderueshme që kjo të ndodhë. “Ndërkohë që variantet e fundit janë versione të Delta-s, virusi ka potencial të madh për të evoluar në të ardhmen,” thotë Gideon Schreiber, profesor i shkencave biomolekulare në Institutin e Shkencave Weizmann në Izrael. “Mutacionet më komplekse mund të evoluojnë, me mutacione të njëkohshme në më shumë se një pozicion, gjë që mund të jetë akoma më problematike.”
Javët e fundit ka pasur shqetësime se përdorimi i pilulave të reja antivirale, në veçanti molnupiraviri i Merck, mund të kontribuojnë në inkurajimin në mënyrë aktive të Sars-CoV-2 për të evoluar. Molnupiraviri ndërhyn në aftësinë e virusit për t’u riprodhuar, duke e mbushur gjenomin e tij me mutacione derisa të mos mund të riprodhohet më.
Disa virologë kanë argumentuar se nëse ndonjë prej këtyre mutacioneve virale mbijeton dhe përhapet te të tjerët, teorikisht mund të nxiste shfaqjen e varianteve të reja. Të tjerë thonë se megjithëse kjo ia vlen të monitorohet, nuk është një shqetësim që do të justifikonte mohimin e një ilaçi që mund të shpëtojë jetën e pacientëve të sëmurë.
Gupta thotë se një problem më i madh dhe që ka më shumë gjasa të çojë në formimin e një super varianti, është shkalla e vazhdueshme e lartë e infeksionit në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, për shkak të aftësisë së Delta-s për t’u transmetuar midis individëve të vaksinuar. “Sa më shumë infeksione të ketë në ditë, aq më shumë shanse ka që dikush atje, një pacient X, të infektohet dhe qelizat e tij T të mos jenë aq të fuqishme sa për të pastruar infeksionin për shkak të pamjaftueshmërisë imunitare,” thotë ai. “Kështu që ata përfundojnë duke e pasur infeksionin për disa ditë me radhë; ata kanë disa antitrupa në organizmin e tyre, i cili ka pasur një reagim të pjesshëm ndaj vaksinës, por virusi mëson t’i shmangë ato dhe më pas përhapet.”
Në fillim të këtij viti, Gupta publikoi një punim që tregoi se ky proces mund të ndodhte te pacientët e sëmurë rëndë, të cilëve u ishte aplikuar plazma konvaleshente e ngarkuar me antitrupa që vrasin virusin. Për shkak se sistemi i tyre imunitar ende nuk mund ta spastronte atë, virusi mësoi të ndryshonte duke u përshtatur me këto antitrupa. Është spekuluar se përdorimi i gjerë i plazmës konvaleshente në fillim të pandemisë ishte përgjegjës për shfaqjen e varianteve.
“Ne nuk e dimë me siguri, por plazma u përdor shumë dhe ishte potencialisht një nga faktorët nxitës për variantet,” thotë ai. “U përdor shumë gjerësisht në Brazil, Indi, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA – të gjitha këto vende zhvilluan grupet e tyre të varianteve.”
Gara mes vaksinave dhe varianteve të reja
Epidemiologët po përpiqen të modelojnë mënyrën se si mund të duket një super variant i ri. Deri tani, transformimet kryesore të virusit kanë ndihmuar në rritjen e transmetueshmërisë së tij. Hanage shpjegon se një nga arsyet pse varianti Delta pati një ndikim të tillë është sepse ai rritet jashtëzakonisht shpejt brenda qelizave njerëzore, përpara se sistemi imunitar të fillojë ta luftojë. Si rezultat, njerëzit e infektuar me Delta mbajnë afërsisht 1,200 herë më shumë grimca virale në hundët e tyre në krahasim me variantin origjinal Sars-CoV-2 dhe u shfaqen simptoma dy deri në tre ditë më herët.
Ky është rezultat i përzgjedhjes natyrore. Kopje të ndryshme të virusit po krijohen gjatë gjithë kohës, por ato që kanë mbijetuar dhe janë bërë më dominuese janë ato që janë më të afta të infektojnë njerëzit. Megjithatë, në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, ku përqindja e pavaksinuar e popullsisë po zvogëlohet, kjo mund të fillojë të ndryshojë. Variantet që mund të anashkalojnë antitrupat ka të ngjarë të bëhen më dominuese, duke e bërë super variantin e radhës shumë më të prirur që të jetë në gjendje të shmangë të paktën disa pjesë të përgjigjes imunitare.
“Llojet e virusit që mbijetojnë dhe bëhen dominuese ndryshojnë, në varësi të fazës së pandemisë në të cilën ndodhemi,” thotë Hanage. “Deri më tani, ka qenë shumë më e rëndësishme për virusin të transmetohej në mënyrë efektive në grupin e mbetur të njerëzve të pambrojtur. Por kjo pritet të ndryshojë shumë shpejt.”
Edhe pse kjo mund të tingëllojë paksa e frikshme, nuk është tërësisht një lajm i keq. Për shkak se vaksinat Covid-19 janë krijuar duke pasur parasysh evolucionin viral, epidemiologët nuk presin që ndonjë super variant i ri t’i bëjë ato plotësisht të padobishme dhe kështu do të ishte tepër e pamundur që të kishte shpërthime të mëdha serioze infektimesh, si ato të dy viteve të fundit.
Përveç kësaj, ekziston një gjeneratë e dytë e vaksinave Covid-19 që janë zhvilluar. Zhvilluesi i vaksinave Novavax shpreson të marrë miratimin rregullator për vaksinën e tij në dy muajt e ardhshëm, ndërsa shumë vaksina të tjera pritet të dalin në treg nga tani e deri në vitin 2023. Të gjitha këto platforma po ndërmarrin hapat e tyre për të luftuar variantet e mundshme të ardhshme.
Sipas Karin Jooss, nënkryetare ekzekutive dhe drejtuese e R&D në kompaninë farmaceutike amerikane Gritstone, e cila ka një vaksinë të gjeneratës së dytë Covid-19 në procesin e provave klinike të fazës I, kompanitë po renditin të gjitha llojet ekzistuese të Sars-CoV-2 dhe synojnë të gjenerojnë përgjigje neutralizuese me antitrupa kundër pjesëve të virusit që janë të njëjta për të gjitha këto variante.
Por epidemiologët besojnë gjithashtu se mbështetja vetëm te vaksinat nuk mjafton. Gupta thotë se edhe pse njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar përpiqen të gjejnë një mënyrë për të jetuar me Covid-19, duhet të ketë ende disa kufizime për të reduktuar përhapjen e virusit dhe për të zvogëluar numrin e mundësive të tij për të pësuar mutacione.
“Numrat e rasteve të reja janë aq të larta për momentin sa është shumë më mirë të parandalohen infeksionet e reja”, thotë Gupta. “Me fjalë të tjera, nuk duhet të vërdallisemi në vende të mbushura me njerëz apo në ambiente të brendshme pa vendosur maska, edhe pse është e vështirë për ta bërë. Nëse shikoni variantet që kemi pasur, të gjitha janë shfaqur në vende me transmetim shumë të lartë dhe të pakontrolluar – Indi, Mbretëri e Bashkuar, Brazil. Ka një arsye pse ne nuk kemi dëgjuar për një variant nga Singapori apo Koreja e Jugut.”
Kjo është një filozofi me të cilën pajtohen shumë prej kolegëve të tij. “Duhet të kufizojmë numrin e mundësive që virusi ka për të pasur mutacione,” thotë Hanage. “Me përzgjedhjen natyrore, në thelb kemi parasysh forcën më të madhe që ne njohim kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve. Eshte e mahnitshme. Dhe kjo është arsyeja pse nuk duhet të vini kurrë bast kundër saj. Ne presim që virusi të vazhdojë të evoluojë.” /The Guardian
Lexo edhe: A e mbulon polica ime e sigurimit Variantin Delta të Coranavirusit?