Tregu i pensioneve private vullnetare vijoi rritjen edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas raportit më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), numri total i anëtarëve arriti në 34,555.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve është shtuar me 2.9% ose afërsisht 1 mijë kontribues.
Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në 4.86 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro, në rritje me 6% që nga fillimi i vitit dhe me 28.6% krahasuar me një vit më parë.
Deri në fund të tremujorit I, në treg vepronin katër fonde të pensioneve private. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 53.5% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27.7%, Raiffeisen Pension me 9.8% dhe Albsig Pension me 9%.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 45% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 29%, Raiffeisen Pension me 22.3% dhe Albsig Pension me 3.7%.
Në vitet e fundit, ky treg po rritet me ritme të shpejta, por mbi një bazë të ulët. Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare.
Këtë vit, pritet që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një ligj ti ri për fondet private të pensioneve.
Projektligji i përgatitur nga AMF propozon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve, ndërsa kërkon që pensionet të mos tatohen as në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi.
Aktualisht, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas projektligjit të propozuar nga AMF, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që sot do të nënkuptonte një shumë kontributesh prej 30 mijë lekësh në muaj.
Projektligji i përgatitur nga AMF sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani), por ndryshimi është se në fondet e mbyllura pjesëmarrja është ligjërisht është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.
LEXO EDHE: 45% të totalit të aseteve, raporti i AMF: Fondi SIGAL, lider në tregun e pensioneve private