Shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe materialeve të ndërtimit po vështirëson zhvillimin e investimeve publike dhe vijimin e programeve të rindërtimit.
Sekretari i Shoqatës të Ndërtuesve Arben Dervishi tha për Monitor se kompanitë e ndërtimit që zhvillojnë investimet publike janë të humbura apo me zero fitim nga rritja e lartë e çmimit të naftës.
“Rritja e kostove nga shtrenjtimi 50% i çmimit të hekurit, bakrit, çimentos dhe rritja e lartë e naftës ka prekur edhe kompanitë e ndërtimit, veçanërisht ato që kryejnë investimet publike në infrastrukturë dhe programet e rindërtimit. Punimet për investimet në infrastrukturë dhe rindërtim janë tenderuar me çmime më të ulëta, po aktualisht çmimet po ndryshojnë dita -ditës. Shpenzimet e karburantit zënë 30% të kostove për kompanitë që po kryejnë investime publike, pasi karburanti shpenzohet për gërmimet e relieveve të vështira. Nga rritja e çmimeve këto kompani janë të humbura apo me fitim zero. Operatorët kërkojnë që qeveria të marrë masa për situatën e krijuar nga rritja e çmimeve”, pohon z. Dervishi.
Pesha e sektorit të ndërtimit në ekonomi sipas të dhënave të INSTAT në 2019 ishte 8,5% nga 8,9 që ishte në 2018.
Paralajmërohet stoku i apartamenteve si në 2008-n
Nga rritja e çmimeve të naftës dhe materialeve të ndërtimit të rrezikuar janë edhe kompanitë e ndërtimit të apartamenteve.
Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës të Ndërtuesve nënvizon se nëse qeveria nuk ndërhyn me uljen e taksave mund të përsëritet krijimi i lartë i stokut si në krizën e 2008-ës.
“Nëse rritja e kostove nga shtrenjtimi i karburantit, hekurit, çimentos, bakrit do të transferohet te çmimet e apartamenteve ato do të shiteshin shumë shtrenjtë. Duke shtuar edhe propozimin e qeverisë për vendosjen e TVSH-së në shitje, çmimet do të rriteshin akoma më shumë. Rritja e lartë e çmimeve për shkak të kostos do të ndikonte te shitjet. Rënia e kërkesës do të krijojë stokun e pashitur të pallateve, ashtu siç ndodhi dhe me krizën ekonomike të 2008-s. Në këtë periudhë në periferitë e Tiranës, në qytetet e Durrësit, Vlorës u krijua stok i lartë i apartamenteve të pashituara. Situata u stabilizua pas disa vitesh”.
Shqetësim për ndërtuesit me herët ishte edhe propozimi i qeverisë në strategjinë afatmesme të ardhurave 2022-2026 për vendosjen e TVSH-së në shitje.
Shoqata e Ndërtuesve pohoi se miratimi i kësaj mase fiskale do të ndikonte te rritja e çmimeve të apartamenteve.
Nëntorin e 2021 çmimet e apartamenteve të reja brenda vijës të verdhë të ndërtimit u rritën 10% krahasuar me 2020.
Në zonat, si: Ish blloku, Myslym Shyri, rruga “Bardhyl” rritja e çmimeve varionte nga 15 deri 20%. Brenda unazës, sipas agjencive imobilare apartamentet e reja nuk ofronin çmime më të ulëta se 1500 euro/m2, ndërsa te periferitë si “Porcelani” apo “Ali Demi”, nuk u shiten më shtëpi banimi me çmime nën 900 euro/m2. Vitin e kaluar sipas ndërtuesve u shtua kërkesa për blerje në fazën e hershme të ndërtimit në objekte me çmime të larta deri në 4,000 euro për metër katror, kryesisht kullat.
Në të gjitha kullat që po ngrihen në kryeqytet, apartamentet po shiten me çmime nga 3,000 deri në 4,000 euro për metër katror. /Monitor
LEXO EDHE: Një apartament në Tiranë kushton deri në 4 mijë euro/m2, Sigurimi i tij me vetëm 1 euro/m2