38 mijë shqiptarë janë bërë pjesë e skemës private të pensioneve gjatë vitit 2023.
Shifrat i raportoi para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Drejtoresha e Përgjithshme e AMF, Mimoza Kaçi, duke shtuar se aktivet neto të këtij tregu arritën në 6.7 miliardë lekë.
Rreth 96% e këtyrë aktiveve janë investuar në borxhin e qeverisë.
Gjatë vitit 2023, në tregun e fondeve të pensionit privat ushtruan aktivitetin e tyre gjashtë fonde pensioni të administruara nga katër shoqëri administruese, të cilat përveç administrimit të fondeve të pensionit janë licencuar për të administruar edhe sipërmarrje të investimeve kolektive.
“Tregu i fondeve të pensionit privat ka vijuar tendencën e tij në rritje, sa i përket vlerës së aktiveve neto dhe numrit të anëtarëve. Në fund të vitit 2023, aktivet neto të këtij tregu arritën në 6.7 miliardë lekë, duke u rritur me 18.2%, ndërsa numri i anëtarëve arriti në mbi 38 mijë. Mbi 96% e aktiveve neto janë të investuara në obligacione të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Përsëri, hapësirat për zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu mbeten të konsiderueshme dhe ligji i ri, i miratuar në vitin 2023, pritet të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve private të pensionit”, tha ndër të tjera Kaçi.
Shoqëritë private të fondeve të pensionit, por edhe vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ISSH, kanë nxitur orientimin e qytetarëve drejt kësaj forme investimi.
E njohur si Kolona e Dytë në skemën e pensioneve, pensionet private përmenden si zgjidhja e krizës së punonjësve në vend, me largimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e numrit të të moshuarve.
LEXO EDHE: Shqipërisë i duhet një reformë pensionesh