Mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Bardh a Zi” në Abc, u diskutua me ekspertë për pensionet private. Kjo formë pensioni është parë si një pension shtesë, krahas atij shtetëror dhe që ka për qëllim mundësimin e një burimit të rregullt të ardhurash për ruajtjen e standartit të jetesës edhe daljes në pension.
Eksperti i ekonomisë, Artan Gjergji shpjegoi se pse është e rëndësishme kjo lloj forme pensioni.
“Që në fillim dua të shpjegoj se skema të tilla nuk duhen parë si konkurrenciale, armike por si komplomentare. Secili prej nesh në punën e tij të përditshme ndan nga rruga një pjesë me detyrim të të ardhurave dhe i çon tek skema shtetërore. Sepse duhet të kontribuosh rregullisht tërë jetën që të marrësh më pas një pension shtetëror. Në të gjithë botën kanë ndryshuar faktorët demografikë.
Skema shtetërore funksionon si një xhep normal i secilit familjar. Duhet të hyjnë më shumë që të dalin më pak në mënyrë që skema të jetë e qëndrueshme. Pra, në një xhep ku fut 10 lekë dhe nxjerr 8 lekë, je në rregull. Aktualisht është joeficent, jo për shkak të fondit, por prej demografisë. Është rritur jetëgjatësia e qytetarëve.
Në anën tjetër, kemi probleme me emigracionin dhe nuk kemi furnizues të fondit, nuk kemi më furnizues të fondit dhe nuk punojnë më shumë njerëz që të kontribuojnë më shumë dhe kjo ka krijuar probleme në skemat shtetërore në të gjithë botën.
Vjen një pikë që kur ne dalim në pension, pensioni është kaq qesharak sa nuk të mundëson një jetë normale. Kështu që sot, skema në mbarë botën janë shpikur institucione të tjera që i menaxhojnë këto fonde më me efikasitet. Skema e një pensioni privat funksionon si një depozitë banke. Derdhni paratë vetëm në llogarinë tuaj. Nëse tek shteti, paratë tuaja sot shkojnë për të paguar pensionistin sot dhe jo pensionin tuaj pas 30 vjetësh, me skemën private është si t’i derdhësh në një llogari bankare. Janë vetëm të tuat dhe mund t’i përdorësh vetëm ti pas 30 vitesh. Këtu menaxhohen dhe këto para investohen, të sjellin edhe të ardhura të tjera ekstra”, tha ai.