Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në Fletoren Zyrtare është bërë me dije se Këshilli i Ministrave ka vendosur kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara bazuar në ligjin, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe të nenit 10, të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”,
Me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Zonat e Stimuluara, Elbasan, Kamzë–Vorë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë Rurale 1, Fier, Lezhë dhe Shkodër.
Masa e kompensimit është 67 652 (gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e dy) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 610 250 492,4 (gjashtëqind e dhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e dy presje katër) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Për kompensimin e pronarëve do të përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.
Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Zonat e Stimuluara, Elbasan, Kamzë–Vorë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë Rurale 1, Fier, Lezhë dhe Shkodër, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.