12.5 C
Tirana
Sunday, October 13, 2024
spot_img
Faqe KryesoreKryesore2030, Viti ZERO i pensioneve në Shqipëri

2030, Viti ZERO i pensioneve në Shqipëri

Nga Prof. As. Klodian Muço/Monitor

Në 2030 sistemi i pensioneve ne Shqipëri mund të shkojë në paaftësi paguese. Është një skenar realist, nëse marrim në konsideratë projeksionet demografike dhe rritjen e vazhdueshme të deficitit të skemës së pensioneve.

2030 nuk është një vit çfarëdo është viti në të cilin dalin në pension fëmijët e ‘baby boom’ të periudhës së ish komunizmit, pra ata që kanë lindur në periudhën 1963-1965, kur Shqipëria ishte në kulmin e realizimit të planit të tretë pesëvjeçar. Ata fëmijë do të mbushin 65-67 vjeç e do trokasin në dyert e ISSH-së për të përfituar një pension pleqërie edhe pse shumë prej tyre, një pjesë të viteve të punës i kanë kryer në emigracion.

Në 2030 nëse nuk do merren masa paraprake sistemi do e ketë të vështirë për mos të thënë të pa mundur të qëndrojë në “këmbë”.

Për ta bërë më të kuptueshme situatën, mjafton të mendohet që në 1979 në Shqipëri ka pasur vetëm 76 mijë persona mbi moshën 65 vjeç (vetëm 2.3% e popullsisë shqiptare ishte mbi 65 vjeç). Në 2011 ky numër u katërfishua duke arritur në 318 mijë. Aktualisht numri i personave mbi moshën 65 vjeç është 437 mijë persona të cilët përbëjnë 15.3% të totalit të popullsisë.

Mbas 10 vjetësh sipas projeksioneve aktuale do të kemi mbi 588 mijë persona mbi 65 vjeç apo mbi 21% të totalit të popullsisë. Në këto projeksione nuk është marrë në konsideratë ikja e të rinjve apo emigracioni në masë.

Nëse do të analizonim emigracionin shqiptar ndër vite sipas moshave do të vërenim se mbi 2/3 e personave që lënë përfundimisht Shqipërinë sipas Unicef janë nën moshën 30 vjeç. Kjo ndoshta është edhe një ndër arsyet kryesore pse mosha mesatare në Shqipëri ka pasur një rritje shumë të shpejtë përgjatë tranzicionit, duke kaluar nga 21.4 vjeç që ish në 1990 në 33.6 vjeç në 2017.

Ndërsa numri i pensionistëve siç u lartpërmend është në një rritje të shpejtë, numri i personave në moshë pune duket se do të jetë në një rënie të vazhdueshme sipas INSTAT, duke kaluar nga 1.76 milionë që është aktualisht në 1.56 milionë në 2031. Pa harruar këtu që raporti ndërmjet popullsisë aktive (20-65 vjeç) dhe pensionisteve ka tendencë të dyfishohet brenda një gjenerate, duke kaluar nga 36.6% që është aktualisht në rreth 52% në 2031, kjo nënkupton një rritje të barrës së sigurimeve shoqërore me mbi 42%. Pra, duke mos ndryshuar kushtet e tjera, praktikisht nevojitet një rritje e produktiviteti me 42%.

Nga ana tjetër, nëse në 1990 popullsia e Shqipërisë ishte 3.2 milionë banorë nga të cilët paguanin sigurime shoqërore më shumë se 1.4 milionë persona dhe përfitonin pension pleqërie më pak se 350 mijë veta (pra kishim 4 kontribuues për 1 përfitues pensioni) aktualisht popullsia ka rënë në 2.85 milionë banorë, nga të cilët paguajnë sigurime shoqërore 778 mijë persona e përfitojnë pension mbi 640 mijë persona apo 1.2 kontribuues për 1 përfitues.

Përgjatë tranzicionit ndërkohë që numri i personave që paguanin sigurime shoqërore ka rënë me rreth 47% përfituesit e pensionit të pleqërisë janë rritur me mbi 82%.

Pra jemi në një situatë shumë të vështirë ku mund të thuhet me bindje se reforma e pensioneve që hyri në fuqi në vitin 2015 e cila rriti moshën e pensioneve ka dështuar me sukses pasi ajo thjesht shtyu problemin në kohë, por nuk e zgjidhi atë. Kjo duket më së miri në faktin që në 6-mujorin e parë të 2021 që kishim një rritje të kontributeve në krahasim me 2020 (kryesisht si pasojë e rritjes së kontributeve nga rritja e pagës minimale e mbi 200 mijë personave) deficiti i skemës u rrit me 2.3 miliardë lekë apo 23% vetëm pse plotësuan kriteret për pension 11000 mijë persona të rinj. Imagjinoni se çfarë do ndodhi nga 2023 e në vijim kur numri i pensionistëve të rritet në mënyrë të ndjeshme. Pa harruar këtu faktin që niveli i pensioneve mesatare në Shqipëri është më i ulët sesa minimumi jetik, pasi nëse do pensionet e pleqërisë do të ishin të indeksuara edhe në varësi të minimumit jetik atëherë më shumë gjasa skema e sigurimeve do të gjendej në një situatë shumë të vështirë ekonomike.

Në të tilla kushte mund të thuhet se cila janë disa nga zgjidhjet e mundshme?! Një ndër to është një rishikim i thellë i sistemit të pensioneve me kuotë 100 apo 103 ku të merren në konsideratë mosha plus vitet e kontributeve, një reformë e ngjashme është zbatuar në Itali dhe me gjithë vështirësitë e veta duket se po jep deri diku frytet e para. Një mënyrë tjetër është ajo e pensioneve private ku mund të ishte ndoshta edhe më e thjeshtë për të çuar në një rritje graduale të pensioneve në të ardhmen.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat