Më shumë se 760 fluturime u anuluan në aeroportin e Mynihut të shtunën për shkak të borës së madhe, e cila ka goditur pjesën më të madhe të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës.
Aeroporti njoftoi se fluturimet do të anulohen deri në orën 06:00 të së dielës.
Ndërkohë, për shkak të borës janë pezulluar edhe shërbimet e autobusëve dhe tramvajit dhe disa shërbime të trenave në Mynih.
Stacioni kryesor i trenit i Mynihut u mbyll për transportin vendas, ndërsa edhe shërbimet ndërqytetëse u pezulluan plotësisht.
Hekurudhat gjermane paralajmëruan se trafiku i trenave do të “ndikohet rëndë” deri të hënën.
Policia të shtunën u kërkoi banorëve të Mynihut të mos përdorin makinat e tyre nëse nuk është absolutisht e nevojshme. Në disa zona të Bavarisë jugore, banorëve iu kërkua të mos largoheshin fare nga shtëpitë e tyre, për shkak të kushteve të motit.
Transmetuesi publik i Bavarisë raportoi të shtunën se ka rënë 45 cm borë në Mynih, shifra më e madhe e dhjetorit që nga 1933.