Shumë zona të Italisë vazhdojnë të jenë të prekura nga moti i keq, ndërsa sipas meteorologëve kushtet e motit pritet të përmirësohen nga mbrëmja e së mërkurës.
Për shkak të rrëshqitjes së dheut, 70 turistë u detyruan të largoheshin nga një hotel në zonën e njohur malore të Cortina d’Abezzo, në rajonin verior të Venetos.
Në Trieste, për shkak të erës së fortë dhe shiut të dendur, qendra e qytetit është përmbytur. Shumë banorë dhe turistë vrapuan në kafene dhe dyqane për të mos u rrëmbyer nga era.
Në rajonin veriperëndimor të Piemontes, dhe më konkretisht në qytetet Asti, Vercelli, Novara dhe Alessandria, pas reshjeve të dendura të njëzet e katër orëve të fundit, zjarrfikësit kanë nisur tani të pastrojnë rrugët nga më shumë se dyqind trungjet e pemëve të shkulura nga era e fortë.
Në të njëjtën kohë, një ditë më parë, ra borë në Sestriere, zonë kjo që ndodhet në një lartësi prej dy mijë metrash, ndërkohë që edhe temperatura atje ka rënë ndjeshëm. Gjatë të martës, meteorologët kanë paralajmëruar vazhdimin e reshjeve të dendura në zonën e Romës, Firenzes, Napolit si edhe në Calabri.