Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga qendra shëndetësore nr.4 në Tiranë, ju ka bërë apel të gjithë arsimtarëve që ende nuk janë vaksinuar, studentëve e pedagogëve, të paraqiten në qendrën më të afërt të vaksinimit për të kryer vaksinën ndaj COVID19.
Manastirliu bëri me dije se ditën e hënë hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e çertifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit.
“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nërpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë çertifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët”, nënvizoi Manastirliu.
Alternativa e mungesës së çertifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar.
“Për arsimatarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga COVID19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka bërë më dije se interesi i shtuar në muajt e hapur të vaksinimit nga pesoneli arsimtarëve, e ka çuar në mbi 80% vaksinimin e tyre me një dozë dhe mbi 60% me dy doza, duke paraqitur mbulesë të lartë vaksinale.
“Në këto dy muaj kemi pasur një interes të shtuar sa i përket vaksinimit, edhe shihet që ka një interes të shtuar të studentëve. Përsa i përket arsimtarëve, janë mbi 80% e tyre që e kanë kryer dozën e parë të vaksinës, edhe mbi 60 përqind e tyre janë vaksinuar plotësisht, padyshim janë shifra inkurajuese”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,683,644 vaksina dhe 754,020 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat. Krahas pikave të përqëndruara dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,045,310 vaksina anti-COVID.