Duke filluar nga sot do të kemi përkeqësim të kushteve atmosferike. Meteorologia Adiola Bani, në një lidhje për Klan News, ka thënë se 2-3 ditët në vijim do të ulen temperaturat, priten reshje shiu dhe do të ketë erë të fortë.
Këtë situatë, meteorologia Bani e cilësoi si një “mini Dimër në zemër të Vjeshtës”.
Reshjet me intensitet më të lartë pritet të jenë në zonat veriore dhe jugore, e më pak në Shqipërinë qëndrore.
Ndërsa era do të jetë e fortë kryesisht në zonën e Adriatikut.
“Krahasuar me ditët që lamë pas, që ishin ditë me temperatura tipike të Vjeshtës ku vlerat e mëngjesit kanë qenë 4-5 gradë Celsius ndërsa maksimumi gjatë orëve të mesditës është ngjitur edhe në 25 gradë Celsius. Duke filluar nga e sotme do të kemi ndryshim të kushteve atmosferike në territorin shqiptar, pasi kemi prezencën e vranësirave në vend, duke filluar nga orët e para të ditës, ndërsa mesdita dhe pasditja sjellin zhvillim të vranësirave në zonat veriperëndimore dhe zonat jugperëndimore të Shqipërisë, duke sjellë edhe reshje të pakta shiu.
Dita e shtunë do të na sjellë prezencë më të dukshme të reshjeve, edhe pse sasinë më të konsiderueshme të reshjeve e presim në zonat veriore dhe në zonat jugore të Shqipërisë. Më pak reshje do të kenë zonat qëndrore. Do të jenë të shoqëruara këto reshje edhe me prezencën e parametrit të erës, e cila do të bëjë që në këto zona, sidomos në zonat bregdetare të Adriatikut të kemi edhe stuhi ere. Edhe dita e dielë, pavarësisht se do të kemi përmirësim të kushteve të motit, vranësirat dhe reshjet e pakta do të mbeten prezent.
Reshjet nuk do të jenë në sasi të konsiderueshme gjatë këtij episodi por ajo që do të jetë problematike gjatë këtyre ditëve do të jetë parametri i fortë i erës, sidomos në brigjet detare dhe në bregdetin e Adriatikut, ku shpejtësia e saj do të arrijë në 65-70 km/h, duke bërë që të kemi dallgëzim 4 apo 5 ballë. Do të kemi një mini Dimër në zemër të Vjeshtës”, tha meteorologia Adiola Bani.