Kjo javë ka nisur me shifra kontradiktore në pandemi. Ndonëse numri i rasteve të reja ka rënë ndjeshëm në raport me mesataren e javës që shkoi, numri i urgjencave është shtuar.
Nga afro gjashtë mijë tamponë të kryer, janë konfirmuar më pak dhjetë për qind e tyre.
“Janë kryer 5991 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 502 qytetarë, në këto bashki: 173 raste në Tiranë, 74 në Fier, 31 në Shkodër, 29 në Durrës, 24 në Kavajë, 22 në Vlorë, 18 në Kamzë, 16 në Berat, 14 në Sarandë, 11 në Lushnje, 10 në Lezhë, 9 në Kurbin, 8 në Patos, nga 6 raste në Gramsh, Rrogozhinë, nga 4 raste në Pukë, Tropojë, Përmet, Peqin, nga 3 raste në Kukës, Krujë, Dibër, Roskovec, Gjirokastër, Tepelenë, Devoll, nga 2 raste në Librazhd, Himarë, Mallakastër, Mirditë, Malësi e Madhe, nga 1 rast në Vorë, Mat, Divjakë, Delvinë”, raportohet në buletinin ditor të informacionit nga Ministria e Shëndetësisë.
Raportimet e gazetarëve në terren flasin për ambulanca që paraqiten çdo 20 minuta, ndërkohë që të shtruar mësohet të ketë vetëm pacientë që janë në gjendje shumë të rëndë.
Në spitalin Infektiv po marrin ndihmë të specializuar shëndetësore 95 persona, ndërsa në spitalin COVID 3 janë 33 persona. Nga ana tjetër, edhe të shëruarit tanimë numërohen me qindra, pas afatit dyjavor të hospitalizimeve.
12 mije raste aktive numërohen në total në rang vendi, të identifikuara nga testet e kryera në laboratorët publikë e privatë, 4500 prej të cilëve ndodhen vetëm në kryeqytet.
Jo më pak problematikë paraqiten Shkodra, Durrësi, Vlora e Fieri, ku numri i të infektuarve i përafrohet në rreth një mijë.