Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nxjerrë për konsultim publik rregulloren e re “Për përcaktimin e penaliteteve të zbatuara në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionit privat”, në zbatimit të ligjit të ri për fondet e pensioneve private.
Diferenca mes rregullores së re dhe ekzistueses është në nenin që i referohet përllogaritjes së penaliteteve në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionet privat.
Në nenin 4 te rregullores së re specifikohet se, “Shoqëria administruese i mban individit jo më shumë se 15% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore nga data e kontributit të parë, deri në 5 vjet, përfshirë edhe vitin e 5-të. Kjo masë penaliteti do të zbatohet për shoqëritë administruese të cilat aplikojnë një tarifë vjetore administrimi deri në 1.5 % të vlerës neto të aktiveve të fondit. Në rastet kur tarifa vjetore e administrimit është mbi 1.5 % deri në 2.5% të aktiveve, masa e penalitetetit do të jetë jo më shumë se 10% e aktiveve të tërhequra”.
Në rastet e tërheqjeve të parakohshme të kryera në intervalin nga 5 deri në 10 vite si anëtar i fondit të pensionit, përfshirë këtu edhe vitin e dhjetë, rregullorja e re e AMF specifikon që penaliteti do të jetë jo më shumë se 10% e aktiveve të tërhequra.
Në rastet kur tarifa vjetore e administrimit është mbi 1.5 % deri në 2.5% të aktiveve, masa e penalitetetit do të jetë jo më shumë se 5% e aktiveve të tërhequra.
Në rregulloren e re, penalitetet do të llogariten deri në vitin e dhjetë të anëtarësisë në fond, pra përtej këtij afati, për anëtarin nuk do të ketë penalitete për tërheqjet e parakohshme.
Në rregulloren aktuale, e cila është ende në fuqi, deri në miratimin e të resë, penalitetet llogariten si më poshtë:
Shoqëria Administruese përcakton penalitetin në rastin e tërheqjes së parakohshme brenda kufijve të mëposhtëm:
- Jo më pak se 2% dhe jo më shumë se 5% e aseteve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer pas 20 vitesh nga data e kontributit të parë;
- Jo më pak se 5% dhe jo më shumë se 10% e aseteve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme kryer në periudhën kohore që fillon pas 10 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 20 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e 20-të;
- Jo më pak se 10% dhe jo më shumë se 15% të aseteve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore që fillon pas 5 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 10 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e 10-të;
- Jo më pak se 15% dhe jo më shumë se 20% të aseteve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore deri në 5 vjet nga data e kontributit të pare, përfshirë edhe vitin e 5-të.
Bazuar në rregulloren e re, anëtarit i lind e drejta të mos paguajë penalitet në rastin e tërheqjes së parakohshme, nëse shoqëria administruese nuk e ka informuar për kushtet dhe masën e penalitetit, sipas parashikimeve të ligjit dhe kësaj rregulloreje.
LEXO EDHE: “Fondi më i madh i pensioneve në Shqipëri”, Monitor: Sigal Pension, 43.6% të totalit të aseteve