Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, AMF, ka publikuar të dhënat mbi tregun e sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-maj 2022.
Sipas raportit, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-maj 2022 kapën vlerën 7,771 milionë lekë, ose 10.87% më shumë se në janar-maj 2021.
Gjatë periudhës janar-maj 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 445,558 me një rritje prej 23.34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.36% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.50%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.95% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.05% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-maj 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,709 milionë lekë.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-maj 2022 kapën vlerën 1,784 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 4.11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-maj 2022 arritën rreth 4,433 milionë lekë, ose 11.83 % më shumë se në periudhën janar-maj 2021.
Produkti TPL, në periudhën janar-maj 2022, pati një rritje prej 6.82% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.66% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-maj 2022 pati një rritje prej 52.16% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 67.31% krahasuar me periudhën janar-maj 2021.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-maj 2022, pati një rritje 6.2% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-maj 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 9.03%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-maj 2022 arritën rreth 3,337 milionë lekë, 9.62% më shumëk se në periudhën janar-maj 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 38.72% krahasuar me periudhën janar-maj 2021.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-maj 2022, patën një rritje me 7.58% kundrejt periudhës janar-maj 2021.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-maj 2022 siguruan mbi 1,593 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 70.73%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 21.51% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-maj 2022, vihet re një rritje prej 1.78% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 4.86% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-maj 2021.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-maj 2022, arritën në rreth 601 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 14.26% në krahasim me periudhën janar-maj 2021.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-maj 2022, arritën rreth 583 milionë lekë, ose 18.11% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.