Ekspertët thonë se tregjet financiare janë përgatitur për shumë luhatje përgjatë vitit 2022, pasi po përballen me presionin në rritje të inflacionit, rritjen e normave të interesit dhe bllokimet e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar, si rrjedhojë e variantit Omicron të koronavirusit.
Analistët dhe investitorët financiarë thanë se shfaqja e Omicron kishte rritur perspektivën e një fillimi të vitit të ri me stagflacion, me ritme më të dobëta të rritjes ekonomike, pavarësisht presioneve të intensifikuara të çmimeve në zinxhirët e furnizimit. Kriza energjetike e dimrit do të rëndojë gjithashtu ekonomitë e Europës.
“Vaksinat dhe trajtimet kundër Covid do të reduktojnë disi pasojat sociale me të cilat mund të përballemi. Në një kohë kur shumë biznese u mësuan të tregtojnë mes izolimeve dhe hapjeve të vazhdueshme të pandemisë, një rikthim i kufizimeve të forta të dimrit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendet e tjera do të të jetë një goditje për ekonominë globale,” tha Laith Khalaf, kreu i analistëve të investimeve në AJ Bell.
Nëse pandemia lehtësohet në vitin 2022 ashtu siç shpresohet, bankat qendrore pritet të rrisin normat e interesit ose të reduktojnë programet e tyre stimuluese prej triliona dollarësh për blerjen e obligacioneve, në mënyrë që të frenojnë inflacionin. Rezerva Federale (Fed) e SHBA tha këtë muaj se parashikonte një rritje të kostos së huamarrjes me gati tre herë në vitin 2022, gjë që mund të ndikojë negativisht tregjet dhe të dobësojë rimëkëmbjen që gjithsesi pritet të ngadalësohet në vitin 2022.
“Inflacioni i lartë po i shqetëson bankat qendrore, por deri nga fundi i vitit 2022 do të shohim një panoramë shumë të ndryshme, ku stanjacioni do të jetë një rrezik më të madh se stagflacioni”, thanë analistët në bankën japoneze Nomura.
Victor Golovtchenko, ndërmjetës financiar në Think Markets, tha se Fed i SHBA-së ishte në pozitën e vështirë për të zgjedhur midis “shifrave gjithmonë e më të larta të inflacionit dhe tregjeve financiare gjithmonë e më të mbivlerësuara”.
Joost Beaumont, strateg i lartë i të ardhurave fikse në bankën holandeze ABN Amro, tha se viti i ardhshëm do të kishte shumë luhatje për tregjet. “Ne presim kushte financiare globale më të shtrënguara, veçanërisht nga rritja e normave të Fed dhe atyre në SHBA, që do të shkaktojnë përsëri periudha paqëndrueshmërie në tregje.”
Khalaf nga AJ Bell tha se tregu i bonove duhet të përballet gradualisht me një ditë shumë të keqe, përveç skenarit nëse politika monetare nuk normalizohet kurrë. “Mund të jetë një deflacion gradual dhe jo një rënie e menjëhershme, por duket se ҫështja është kur do të ndodhë kjo, jo nëse do të ndodhë apo jo. Obligacionet e qeverisë me maturim më të gjatë do të ishin linja e zjarrit, kështu që investitorët e obligacioneve mund të përpiqen të mbrohen duke kërkuar obligacione me afat më të shkurtër maturimi, tregje me yield-e më të larta dhe fonde strategjike që përdorin një qasje fleksibël,” tha Khalaf.
Banka e Anglisë pritet gjithashtu të rrisë normat e interesit në vitin 2022, ndoshta me dy ose tre herë, pasi rriti papritur normën e saj kryesore të interesit në 0.25% në mbledhjen e dhjetorit, pavarësisht shqetësimeve për Omicron.
“Me një mënyrë të vepruari shumë të ndryshme nga hera e fundit kur rastet u rritën së tepërmi gjatë pandemisë, bankat qendrore tani po ndjekin një rrugë me shtrëngime të forta,” tha George Lagarias, kryeekonomist në Mazars. “Ne besojmë se gjatë vitit 2022, investitorët duhet të jenë të paktën të përgatitur për më shumë paqëndrueshmëri.”
Rritja e çmimeve të energjisë në Europë dhe Azi e bëri inflacionin të rritej gjatë këtij viti, pasi furnizimet nuk arritën të plotësonin kërkesën që erdhi pas lehtësimit të masave të izolimit gjatë verës nëpër ekonomitë e avancuara. Inflacioni pritet të vazhdojë të jetë i lartë në planin afatshkurtër, por më pas mund të bjerë përsëri gjatë vitit./ The Guardian