Rëndohet bilanci i tragjedisë që shkaktoi stuhia “Daniel” në Libi. Ministria e Brendshme e Libisë Lindore bëri të ditur se numri i të vdekurve ka mbërritur në mbi 5 mijë, ndërkohë që më shumë se 10 mijë persona të tjerë konsiderohen të zhdukur.
Shifrat e viktimave mbeten kontradiktore, pasi Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tha kishin regjistruar deri më tani 2084 të vdekur.
Situata më e vështirë është në qytetin Derna, 1/4 e të cilit raportohet se u shkatërrua plotësisht pasi disa diga u çanë si pasojë e stuhisë dhe uji vërshoi në qytet.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga situata në këtë qytet janë vërtetë dramatike.
Rrugë janë të mbushura me viktima, ndërsa banorët kërkojnë të identifikojnë të afërmit e tyre.
Lagje të tëra të qytetit vijojnë të jenë nën ujë, i cili në zona të caktuara ka arritur deri në 3 metra lartësi.
Në Libi janë shpallur 3 ditë zie kombëtare për jetët e humbura.
LEXO EDHE: Ndryshimet klimatike/ Sigurimi nga katastrofat natyrore, varka e vetme e shpëtimit