Viti 2022 më në fund erdhi, por për fat të keq, pandemia COVID-19 vazhdon të jetë pjesë e jetës sonë.
Masat e shëndetit publik për të parandaluar përhapjen e saj janë ende në fuqi në shumë vende të botës dhe udhëtarët vazhdojnë të përballen me kërkesa të ndryshme për vaksinimin, vendosjen e maskës dhe testet e COVID-19.
Por, kjo nuk do të thotë se nuk mund ta nisim vitin 2022 me disa pushime epike. Nëse e shohim gotën gjysmë plot, kufijtë e botës janë shumë më të hapur tani se sa ishin vitin e kaluar në këtë periudhë.
Gjithashtu, për shkak të disponueshmërisë së vaksinave, ju mund të udhëtoni nëpër botë duke qenë më të qetë.
Metador Network, një uebsajt kushtuar turizmit dhe aventurierëve, ka renditur 22 vendet më të mira për të udhëtuar gjatë këtij viti.
Lexo edhe: Rasti i 13-vjeçarit në Turqi/ Me siguracion 4 euro në SIGAL, mbuloi 5500 euro shpenzime spitalore
Shqipëria, në vendin e 10-të
Mes vendeve të sugjeruara, në vendin e 10 renditet edhe Shqipëria, ku sipas “Metador Network” ka një sërë arsyesh pse duhet vizituar, nga vija bregdetare te majat e thepisura, parqet kombëtare si Thethi dhe Valbona, kështjellat e periudhës veneciane.
“Në fillim ishte Kroacia. Më pas ishte Mali i Zi. Është e natyrshme që Shqipëria të bëhet pika tjetër e nxehtë e turizmit në Europën Juglindore që i bën udhëtarët të dynden drejt Gadishullit të Ballkanit.
Shqipëria shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe Jon, duke ndarë të njëjtën vijë bregdetare me vendet magjepsëse të Dubrovnikut ku është xhiruar filmi “Game of Thrones”, qytet ky i cili ndodhet disa orë në veri të saj, si dhe kufizohet me kufirin perëndimor të Greqisë në jug, nga ku udhëtimet e shpejta me varkë për në Korfuz zgjasin vetëm 30 minuta. Në brendësi, Shqipëria është shtëpia e Alpeve të veta, ku parqet kombëtare të Thethit dhe të Valbonës fshehin nën majat e thepisura liqene dhe lumenj në ngjyrë blu të ndezur, ndërsa peizazhi plotësohet me kilometra të tëra tokë bujqësore të familjeve të zonës.
Familjet aristokrate të periudhës veneciane zbukuruan gjithashtu fshatrat dhe bregdetin e Shqipërisë me shumë kështjella. Ndonëse disa prej tyre kanë pësuar dëmtime, shumica e këtyre fortesave janë ruajtur çuditërisht në gjendje shumë të mirë – veçanërisht Kruja, Rozafa dhe Lëkurësi.
Qyteti port i Durrësit ka gjithashtu një kështjellë, megjithëse shumica e udhëtarëve vijnë këtu për të parë amfiteatrin e madh të periudhës romake. Edhe më mbresëlënës është qyteti antik i Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili ndodhet në parkun kombëtar me të njëjtin emër, teatri helenist i të cilit ende ofron shfaqje çdo verë gjatë festivalit të Butrintit.
Jo e gjithë arkitektura e Shqipërisë është e vjetër. Në kryeqytet, Piramida e Tiranës është një nga monumentet më magjepsëse të vendit. Fillimisht kjo strukturë u ndërtua në vitin 1988 si muze në nder të liderit shumëvjeçar komunist Enver Hoxha, por më vonë ajo u përdor si qendër postkomuniste konferencash, si bazë e NATO-s gjatë Luftës së Kosovës dhe si qendër transmetimi për mediat shqiptare. Që nga viti 2018, plani më i fundit për piramidën është shndërrimi i saj në një Qendër TUMO për Teknologjitë Kreative për adoleshentët vendas.
Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ka gjithashtu disa nga zonat më të nënvlerësuara për ngjitjen e shkëmbinjve në Ballkan – duke përfshirë ato në afërsi të një kështjelle tjetër, rreth 30 minuta në jug të qytetit, në fshatin Petrelë. Nëse ju pëlqen të ecni nëpër buzët e shkëmbinjve, Shqipëria duhet të jetë absolutisht në radarin tuaj për vitin 2022″.
Vendet më të mira për të udhëtuar gjatë 2022:
Zelanda e Re
Ogden, Utah
Mo’orea, Polinezia Franceze
Stamboll, Turqi
Porto Riko
Puerto Vallarta, Meksikë
Arabia Saudite
Barbados
Pekin, Kinë
Shqipëria
Svalbard, Norvegji
Ishujt Azores
Durban, Afrika e Jugut
Ëestfjords, Islandë
Lewiston, Idaho
Kolumbia
Koreja e Jugut
Traverse City, Michigan
Kosta Rika
Shteti i Oaxaca, Meksikë
Trinidad dhe Tobago
Porto, Portugali
Lexo edhe: Sigurimi i Shëndetit në Udhëtim, ne kujdesemi për ju edhe përtej kufijve të Shqipërisë