Ka përfunduar shitja e kompanisë me bazë në Moskë, “Raiffeisen Life”, me blerës që është kompanisë ruse e sigurimeve “Renaissance Life”.
Lajmi konfirmohet nga “UNIQA Insurance Group”, e cila zotëronte 75% të aksioneve, ndërsa 25% ishin në pronësi të “Raiffeisenbank Rusia”, pjesë e Raiffeisen Bank International.
“Me përfundimin e transaksionit, ne përfundimisht do të tërhiqemi nga tregu rus. Falenderimet tona shkojnë për të gjithë ish-punonjësit tanë dhe bashkëpunimin e tyre dhe për ish-partnerin tonë “AO Raiffeisenbank Rusi”.
Mbi të gjitha, ne dëshirojmë të falënderojmë klientët tanë për besimin që na kanë dhënë,” thotë Wolfgang Kindl, Anëtar Bordi për Customer & Market International në “UNIQA Insurance Group AG”.
Marrëveshja e blerjes midis UNIQA dhe Raiffeisenbank Rusia (AO Raiffeisenbank) me siguruesin rus Renaissance Life u nënshkrua në gusht 2023. Përfundimi i transaksionit duhej të miratohej nga autoritetet ruse dhe u bë në përputhje me të gjitha rregullat dhe ligjet në fuqi.
“UNIQA Insurance Group”
“UNIQA Insurance Group”, e themeluar në vitin e largët 1811, është një ndër grupet kryesore të sigurimeve në Austri dhe Evropën Qendrore dhe Lindore.
Nën moton e përbashkët “Jetojmë më mirë së bashku”, më shumë se 21,000 punonjës dhe partnerë ekskluzivë u shërbejnë rreth 17 milionë klientëve në 17 vende të ndryshme.
Në Austri, UNIQA është grupi i dytë më i madh i sigurimeve teksa zë 21% të tregut.
Prej vitit 2007, përmes “SIGAL UNIQA Group Austria”, “UNIQA Insurance Group” është prezente edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.