Në ditën më të nxehtë të vitit deri tani, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar si për shëndetin, por edhe për të evituar zjarrvënien.
“Rreziku i lartë i zjarreve pritet të vazhdojë në rajon dhe Evropë gjatë javës së ardhshme”, thuhet në një njoftim të AKMC.
Situata në Rajon:
– Portugali: Dy zjarre të mëdha kanë djegur 167 ha në Castro Verde dhe 116 ha në Aljustrel. Të dy zjarret janë shuar me kapacitete kombëtare.
– Qipro: Një zjarr në Distriktin Nicosia ka djegur 240 ha pyje dhe toka bujqësore, dhe është shuar brenda 24 orësh.
– Greqi: Një zjarr i madh pranë Athinës kërcënoi banesat për shkak të erërave të forta. U evakuuan banorët e fshatit Kitsi dhe u angazhuan 145 zjarrfikës dhe 17 mjete ajrore. Aktualisht, një zjarr aktiv në Peloponez ka djegur rreth 500 ha bimësi.
Parashikimet për Fundjavën referuar Buletinit të Qendrës Evropiane për Koordinimin e Përgjigjeve Emergjente (ERCC):
– Italia Jugore, Greqia dhe Turqia Perëndimore dhe Qendrore: Parashikohen vlera shumë të larta ose ekstreme të rrezikut të zjarreve me temperatura mbi 30°C dhe lagështi relative ditore nën 20%.
Erërat e moderuara deri të forta dhe mungesa e reshjeve e përkeqësojnë situatën.
Ballkani Perëndimor dhe Hungaria: Kushtet e rrezikut të moderuar të zjarreve janë më të larta se mesatarja historike për këtë periudhë.