17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTë gjithë sytë të "Euro 2024"/ Pritet rekord audience

Të gjithë sytë të “Euro 2024″/ Pritet rekord audience

Nga Ornela Lepuri – Monitor

Kur Gjermania fitoi Kampionatin Botëror në vitin 2014, rrugët e qyteteve të Shqipërisë, veçanërisht Shkodra, u mbushën plot me tifozë që dolën të festonin me flamuj e brohoritma e veshje të kombëtares gjermane.

Për një të huaj do të ishte e pamundur të dallonte nëse ishte në Gjermani, apo në një vend të vogël që tradicionalisht është shquar për tifozerinë e lartë për skuadrat e mëdha, në garat europiane apo botërore, përfshirë Brazilin, Italinë, Holandën, Anglinë, apo dhe Spanjën nga brezi më i ri.

Historikisht ne jemi bërë tifozë me skuadrat e forta”, pohon Alban Xhihani, komentues sportiv.

Kampionati Botëror dhe ai Europian janë evenimente të veçanta në të gjithë rruzullin, që zhvillohen një herë në katër vjet, e kanë një audiencë të lartë, pasi kthehen në një festë traditë për të gjitha vendet, edhe ato që nuk janë pjesëmarrëse”, thotë ai.

Këtë vit, teksa Kampionati Europian po afrohet, interesi është shumë më i lartë edhe për një arsye tjetër. Për herë të dytë në histori, Shqipëria ka arritur që të kualifikohet në “Euro 2024”.

Një skuadër me lojtarë të fortë, me ndeshje cilësore e fitore të pastra, që arriti të kualifikohej me meritë që një ndeshje para se të përfundonin eliminatoret, i ka emocionuar të gjithë.

Këto emocione pritet të kulmojnë me fillimin e Europianit që do të zhvillohet në Gjermani, nga data 14 qershor deri më 14 korrik 2024.

Tifozët janë si kripa në gjellë. Pa ta nuk do të kishin kuptim ndeshjet. P.sh., goli i Hasanit me Poloninë nuk do të kishte atë lezetin, por të mos ishte për tifozerinë”, – thotë komentuesi sportiv që edhe vetë u ngjir duke bërtitur për goditjen spektakolare, që zhbllokoi rezultatin ndaj një rivali direkt për të qenë në kryesim të grupit, në prani të 22 mijë tifozëve që shpërthyen në stadiumin “Air Albania”.

Tifozët shqiptarë dinë të sjellin atmosferë dhe e mbushin stadiumin plot në çdo kohë, edhe në ditë me shi. Kur ata bënë tifo deri në çmenduri në Shkodër në 2014 dhe qyteti u vesh me ngjyrat e Gjermanisë, imagjino se çfarë do të bëjnë për kombëtaren shqiptare”.

Grupimet e “Tifozave e Kuq e Zi”, “Plisat”, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pritet të jenë më të zjarrtë se kurrë.

Vendndodhja e kampionatit është një element shtesë në favor të Kombëtares.

Këtë herë, ndryshe nga Franca, jemi në zemër të gjithë të shqiptarëve që kanë emigruar dhe janë në Gjermani, apo atyre që do vijnë nga vendet përreth. Kjo e bën këtë kompeticion më të veçantë sa u takon tifozerisë dhe tifozëve”.

Komentuesi është i bindur se ndjekja në stadiume dhe audienca në Televizionin Klan, që ka ekskluzivitetin e transmetimit, do të jetë maksimale gjatë gjithë muajit.

Kur të luajë Shqipëria nuk do të pipëtijë as miza.
Do të jetë spektakël, edhe për faktin që në grup kemi skuadra me emër si Italia, me të cilën historikisht ka qenë gjysma e Shqipërisë, apo Spanja që ka shkuar historinë, apo dhe Kroacia, skuadra e fortë e Luka Modrić. Edhe sikur t’i zgjidhje me dorë nuk do të na binte një grup me kaq madhështi”.

Të paktën për 10 ditë, vëmendja maksimale do të jetë te kombëtarja, ngjyrat kuqezi të së cilës pritet t’i bashkojnë e t’i bëjnë të gjithë për vete.

Edhe pas Shqipërisë, që shpresojmë të ecë sa më shumë, faza me eliminim do të bëjë bashkë skuadrat më të mira, do të rritet gara e tifozët do të kthehen me skuadrat e tyre të zemrës, që ndoshta do t’i lënë pak mënjanë në fillim.

E sigurt është që ky Europian do të jetë më i veçanti, më spektakolari dhe më i ndjekuri deri tani”, thotë Xhihani.

Pritet audiencë maksimale për Kombëtaren

Nëse ka një ngjarje që rrit krenarinë kombëtare të shqiptarëve dhe u jep atyre shumë emocione është pikërisht futbolli. Teksa shpresat për kualifikim shtoheshin ndeshje pas ndeshjeje gjatë fazës së Eliminatoreve, interesi për të ndjekur lojën e skuadrës kuqezi vetëm rritej.

Të dhënat e audiencës, të matura nga “AdvanTech”, kompanisë që realizoi aplikacionin “Klani Im”, tregojnë se audienca për fazën eliminatore filloi të rritej ndjeshëm në momentin që Kombëtarja po ngjitej në krye të renditjes së grupit.

Shikueshmëria më e lartë arriti në ndeshjen Shqipëri – Çeki. Edhe pse më pas kualifikimi ishte i sigurt, tifozët nuk e “braktisën” skuadrën e zemrës.

Në krahasim me ngjarjet e tjera, sa herë ka ndeshje futbolli, ka 50% më shumë se maksimalja e audiencës në ditë të zakonshme”, thotë Oltjon Bushi, nga kompania “AdvanTech”, e cila merret me shpërndarjen dhe transmetimin e kanaleve (content delivery network)

Ai shpjegon se vetë sistemi i aplikacionit “Klani Im” përmban një njësi matjeje të audiencës, ku shikohet sa arrin përdoruesi dhe të dhënat janë të ekstraktuara nga matja e asaj fashe orare.

Transmetimi i ndeshjeve të futbollit tërheq një audiencë të gjerë”, thotë Ardian Mullahi, nga kompania e monitorimit të mediave, “Media Intel”.

Për shembull, gjatë Kampionatit Botëror në 2022, interesi ishte mjaft i lartë si në audiencë, ashtu dhe në tërheqjen e reklamuesve. Ky interes u përkthye në një rritje prej 50.2% të reklamave”.

Ai shton se gjatë ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian, të transmetuara gjatë vitit 2023, audienca ishte mesatarisht 39% më e lartë se mesatarja e vitit 2023 gjatë së njëjtës fashë orare.

Një audiencë e lartë ka tërhequr dhe më shumë reklamues.

Të dhënat e “Media Intel” tregojnë se sektori kryesor, që zuri hapësirën kryesore të reklamave, ishte ai bankar e financiar, me gati 28% të totalit, i ndjekur nga shitjet me pakicë (16.5%), ushqime (10.8%), pije, (10.6%), telekomunikacioni (9.1%).

Kampionati Europian pritet të ketë të njëjtin trend në audiencë, thotë Mullahi, si rezultat dhe interesi i reklamuesve parashikohet të jetë i lartë.

Këtë vit, Europiani do të ketë transmetim ekskluziv
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur transmetimi i Kampionatit Botëror apo Europian ndahej mes dy televizioneve, apo një televizioni dhe një platforme me pagesë, këtë vit, UEFA Euro 2024 do të shihet vetëm në “TV Klan”, i cili ka fituar ekskluzivitetin dhe blerjen e të drejtave.

“‘Klan TV’, me investimin që bëri para dy vitesh, ka zgjedhur t’u sjellë të gjithë shqiptarëve kombëtaren pa pagesë. Ky është një rrugëtim të cilin e nisi me qëllimin e një gjithëpërfshirjeje emocionale e natyrisht me shpresën e konsolidimit të një krenarie kombëtare.

E vërteta është që çunat tanë na bënë krenarë e urojmë që përballja e tyre të jetë sa më dinjitoze dhe pse jo, të vijnë me fitore”, pohon Eglantina Lamaj, Administratore e “TV Klan”.

Po si u arrit në blerjen e të drejtave ekskluzive e përse “Klan TV” do e sjellë UEFA Euro 2024 falas?

Procesi i blerjes së të drejtave është një procedurë e gjatë dhe e komplikuar, po televizioni Klan zgjodhi të investojë për një emocion më shumë, për një produkt televiziv, i cili provoi gjatë dy vitesh se kurioziteti, mbështetja dhe interesi për të shtohej dhe sepse diversifikimi i programacionit është përherë një zgjedhje e shëndetshme për çdo televizion.

Por, edhe sepse shqiptarët kanë pasur pak raste suksesi të tillë në sport, sepse kombëtarja duhet parë e duhet brohoritur, sepse kombëtarja ka nevojë për mbështetje, sepse kombëtarja është e vetmja që na bën bashkë të gjithë në një moment të caktuar, pa asnjë dallim”, thotë Lamaj.

Interes i lartë nga reklamuesit, ka nisur procesi i ofertave të hershme

Kompanitë janë gjithnjë në kërkim të audiencës së lartë, që e kanë të garantuar me Europianin.

Alma Mera, Drejtore e Departamentit Marketing në “TV Klan”, pohon se prej datës 28 shkurt ka nisur procesi i prenotimit të hapësirave reklamuese, ku qëllimi është t’iu ofrohen të gjithë subjekteve hapësirat e reklamimit.

Natyrisht kush angazhohet më herët do të ketë mundësinë të rezervojë vendin dhe të përfitojë kështu nga ‘Early Bird’ me çmimin preferencial. Gongu ka rënë!”, thotë znj. Mera.

Agjencitë e marketingut po përgatiten tashmë të menaxhojnë planet e mediave dhe buxhetet e marketingut.

Futbolli është sporti më popullor në Shqipëri. Kampionati Europian që po afron do të jetë një mundësi e shkëlqyer për markat, për t’u ekspozuar para një publiku të madh dhe të vëmendshëm”, thotë Oliver Petrovski, CEO i “New Moment”.

Forca e madhe që ka futbolli për të bërë bashkë kaq shumë njerëz, histori nga background-e të ndryshme në një vend apo kohë të caktuar përjetimesh të forta, ofron një mundësi të artë për bizneset për të rritur praninë e tyre apo dijeninë rreth shërbimeve dhe produkteve të tyre”, thotë Arbri Veliaj, Drejtor Ekzekutiv i “Gogel Publicis”.

Sporti ka qenë dhe mbetet një nga sektorët më me interes për audiencat”, thotë Adrian Bunguri, CEO i “Trium Communications”.

Ai shton se vërehet qartë një rritje e buxheteve, si në reklamime gjatë kompeticioneve sportive, ashtu dhe në sponsorizimin e ekipeve në të dy drejtimet, dhe kjo gjë vjen edhe për shkak të arritjeve të ndryshme të sportistëve tanë në rang ndërkombëtar si në atletike, futboll, boks etj.

Arritjet e mira të tyre përkthehen në interes dhe audiencë të lartë, të cilat përkthehen në buxhete reklamimi të larta”.

Pritshmëritë për tregun e reklamave janë të mëdha, ndikuar nga fakti që kampionati do të transmetohet në fillim vere, gjë e cila favorizon edhe më shumë krijimin e aktiviteteve outdoor dhe fun zones të posaçme për tifozët, ku reklamues me produkte specifike, si pije alkoolike dhe joalkoolike, snacks, shërbime dhe jo vetëm, krijojnë oferta të dedikuara ose të lidhura me këtë event”, pohon Juliana Bregasi, Drejtore Menaxhuese, “Direct Media”.

Televizioni vijon të marrë pjesën kryesore të buxhetit të reklamuesve

Dixhitalizimi, zhvillimi i mediave sociale, influencuesit nuk kanë arritur që të zbehin shkëlqimin e televizionit, ai mbetet ende më i preferuari si për tërheqjen e audiencës, ashtu dhe të reklamuesve.

Në tregun mediatik shqiptar, televizioni merr pjesën dërmuese të të ardhurave nga reklamat. Ky trend ka qenë dhe vijon të jetë i njëjtë. Gjatë vitit 2023, vlerësohet se TV kishte rreth 91.9% të vlerës së hapësirës mediatike të zënë me reklama”, pohon Mullahi nga “Media Intel”.

Të dhënat janë nxjerrë nga monitorimi i 58 kanaleve televizive, 11 stacione të radios, 14 gazeta e revista, 92 portale dhe 1634 struktura të reklamimit jashtë dyerve (OOH).

Gjatë vitit 2023, kohëzgjatja e reklamave në 58 kanale TV ishte pak më e vogël në krahasim me vitin 2022, ndërsa për TV kombëtare kishte një rritje prej 17% në krahasim me vitin 2022”.

LEXO EDHE: Bashkëpunimi SIGAL UNIQA-FSHF/ Duka: Nuk mund të gjejmë partner më të mirë; Ponari: I kënaqur dhe krenar!

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat