8.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTë gjitha bankat me fitim, rezultati më i lartë i dekadës/ Ja...

Të gjitha bankat me fitim, rezultati më i lartë i dekadës/ Ja cila kryeson tregun

Sektori bankar shënoi përmirësime të mëtejshme të performancës financiare në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare arriti në 15.8 miliardë lekë, më i larti i regjistruar në dekadën e fundit. Gjithashtu, për herë të parë në dekadën e fundit, të gjitha bankat e sektorit deri tani raportojnë një rezultat financiar me fitim deri në fund të 9-mujorit.

Rritja e fitimeve të sektorit bankar reflekton zgjerimin e mëtejshëm të aktiveve dhe sidomos përmirësimin e huadhënies, por mbi të gjitha aftësinë për të mbajtur nën kontroll dhe për të ulur më tej raportin e kredive me probleme, pavarësisht goditjes që dha pandemia.

I matur me standardet lokale, raporti i kredive me probleme në fund të muajit shtator ra në 6.5%, niveli më i ulët që prej nëntorit të vitit 2008.

Rënia e kredive me probleme shkurton shpenzimet e bankave për provigjione, që zakonisht japin ndikimin kryesor në luhatjet afatshkurtra të fitimeve të bankave tregtare.

Përmirësimi i performancës është reflektuar edhe në treguesit e rentabilitetit. Kthimi mesatar nga kapitali për 9-mujorin arriti nivelin e 12.45%, nga 9.01% që kishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 10.67% në të njëjtën periudhë të vitit 2019, para fillimit të pandemisë.

Në vlerë absolute, banka me vlerën më të madhe të fitimeve mbetet Banka Kombëtare Tregtare, për një vlerë totale prej gati 6.3 miliardë lekësh, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë. Vijon Raiffeisen Bank me një fitim neto në vlerën e 3.2 miliardë lekëve, 146% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Banka e tretë që ka siguruar një fitim sipas kufirit të 1 miliardë lekëve është OTP Albania. Banka me kapital hungarez raportoi fitim në vlerën e 1.4 miliardë lekëve, 6% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Bankat e tjera kanë raportuar rezultate më të ulëta, por për shumicën prej tyre në rritje krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

Ndërkohë, e matur sipas rentabilitetit, përmirësimi i përfitueshmërisë së bankave është edhe më i prekshëm, me një numër të konsiderueshëm të bankave të përmasave të mesme që po vazhdojnë të sigurojnë kthime të kënaqshme nga kapitali aksioner.

Për 9-mujorin banka me kthimin më të lartë nga kapitali ishte OTP Albania, me 19.62%, e ndjekur nga Union Bank me 18.07%, BKT me 17.61%, Fibank me 15.89%, Raiffeisen Bank me 15.59% dhe Banka Amerikane e Investimeve me 12.24%.

Banka e tjera kanë raportuar kthime pozitive në nivele njëshifrore. Përfitueshmërinë më të ulët e raporton Alpha Bank, me 0.31%. Rezultatet modeste ishin arsyeja kryesore që shtyu grupin grek ta nxirrte në shitje bankën shqiptare dhe pritet që në javët në vazhdim të shpallet fituesi i garës. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat