13.5 C
Tirana
Saturday, December 7, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSot mbledhja e rradhës, Banka e Shqipërisë pritet të rrisë me 0.25%...

Sot mbledhja e rradhës, Banka e Shqipërisë pritet të rrisë me 0.25% normën bazë të interesit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë ditën e sotme mbledhjen e radhës për vendimmarrjen e politikës monetare.

Duke pasur parasysh nivelin e lartë dhe ende në rritje të inflacionit, si edhe sinjalet e dhëna nga Guvernatori Sejko në komunikimet e fundit, pritet që Këshilli Mbikëqyrës të rrisë normën bazë të interesit për herë të pestë brenda këtij viti. Analistët e tregut besojnë se skenari më i ngjashëm është që Banka e Shqipërisë ta rrisë këtë herë normën bazë me 0.25 pikë përqindje.

Në analizën e fundit javore të tregjeve, Raiffeisen Research, njësia e kërkimeve e grupit bankar Raiffeisen, parashikon që Banka e Shqipërisë do të aplikojë edhe dy rritje të tjera të normës bazë këtë vit, përkatësisht me 0.25% në mbledhjet e muajve nëntor dhe dhjetor. Kjo pritet ta çojë normën bazë të interesit në 2.75%, niveli më i lartë që prej fundit të vitit 2013.

Banka e Shqipërisë e nisi normalizimin monetar, të kuptuar si rritje graduale të normave të interesit drejt nivelit neutral apo ekuilibër, në fund të muajit mars. Qysh atëherë, norma bazë e interesit është rritur katër herë, nga 0.5% në 2.25%.

Normalizimi i shpejtë i politikës monetare është rrjedhojë e rritjes së shpejtë të çmimeve gjatë këtij viti. Sipas INSTAT, inflacioni në shtator arriti në 8.1%, niveli më i lartë që prej vitit 1998. Por, edhe më shqetësuese për Bankën e Shqipërisë është rritja më e lartë e inflacionit bazë.

Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve në ekonomi, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për muajin shtator ky tregues arriti nivelin prej 8.44%, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Inflacioni bazë është një tregues veçanërisht i rëndësishëm në vendimmarrjen e politikës monetrae, sepse tenton ta zhveshë inflacionin total nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.

Ai përfaqëson pjesën më të qëndrueshme të inflacionit që ndikohet nga faktorë të kërkesës dhe për rrjedhim të politikës monetare. Për këtë arsye, rritja e fortë e inflacioni bazë është një kambanë alarmi se rritja e çmimeve tashmë nuk lidhet vetëm me faktorë kalimtarë, por ka filluar të rrënjoset në ekonomi.

Qysh në raportin e politikës monetare të tremujorit III, Banka e Shqipërisë bëri të qartë se presionet inflacioniste në vend duken me bazë të gjerë dhe rrezikojnë të bëhen të qëndrueshme, nëse përcillen në ato që bankat qendrore i quajnë si efekte të raundit të dytë. Kjo nënkupton rrezikun e një spiraleje inflacioniste, ku rritja e çmimeve nga njëra anë dhe ajo e pagave e kostove të tjera të prodhimit nga ana tjetër nxisin njëra-tjetrën.

Përveç efektit të ndjeshëm që ka dhënë rritja e çmimeve në kostot e prodhimit të bizneseve, shumë ekspertë mendojnë se presione inflacioniste shtesë mund të gjenerohen nga gjendja e tregut të punës.

Norma e papunësisë ndodhet tashmë në nivelet më të ulëta të periudhës post-komuniste, ndërsa gjithnjë e më shumë sektorë ekonomikë po vuajnë për të gjetur forcë pune, edhe për shkak të emigracionit në rritje. Kjo po shton presionet për rritje të pagave, çka mund të prodhojë efekte inflacioniste shtesë në ekonomi. Sipas Instat, rritja e pagës mesatare bruto në ekonomi gjatë tremujorit të dytë arriti në 7%, rritje kjo e përafërt me normën e inflacionit.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat