Në datën 21 Qershor, banorët e Shqipërisë dhe vendeve të afërta do të përjetojnë solsticin veror.
Kjo është dita më e gjatë e vitit, dielli lindi në orën 05:07 minuta dhe do të perëndojë në 20:17, gjithsej 15 orë, 9 minuta e 48 sekonda.
Në vende të ndryshme, ndryshon edhe gjatësia e ditës. Kjo varet nga vendi ku jeton. Në Alaskë ka thuajse 24 orë dritë dielli, ditën e solsticit.
Me qindra spiritualistë, turistë dhe zbulues janë mbledhur si çdo vit për të festuar fillimin e solecistit veror, ditës më të gjatë në vit, në gurin monumental të Stonehenge në Pllajën e Salisbury-t, Angli.
Solstici veror në Hemisferën e Veriut bie çdo vit, në varësi të vendndodhjes, nga data 20 në 22 Qershor dhe është dita kur Dielli është në pikën më të lartë, para nga Hemisfera e Veriut.
Në Hemisferën e Jugut kjo ndodh në datat 20 deri 22 Dhjetor, kur Hemisfera e Veriut përjeton solsticin dimëror dhe ditën më të shkurtër të vitit.
Edhe pse stina e verës është në muajin e parë, pas datës 21 Qershor ditët, ende më të gjata sesa nata, fillojnë të shkurtohen edhe pse në mënyrë të pandjeshme.