Numri i personave të plagosur dhe që kanë humbur jetën për shkak të aksidenteve rrugore ka ardhur duke u rritur nga muaji në muaj.
Referuar shifrave më të fundit të INSTAT, në muajin gusht janë shënuar 180 raste të plagosur nga aksidentet, ku 11 persona kanë humbur jetën.
Shifrat tregojnë për 15 të aksidentuar më shumë se muaji paraardhës.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj thekson se numri i aksidenteve është rritur jo vetëm për shkak të mos respektimit të kodit rrugor nga drejtuesit e automjeteve po edhe nga përdoruesit e skuterave elektrikë, të cilët kalojnë në rrugë pa respektuar semaforët apo rregulla të tjera të qarkullimit.
“Duhet të sensibilizohemi të gjithë pasi bëhet fjalë për mijëra përsa i përket numrit të aksidenteve nëse i referohemi periudhës janar-gusht, përfshirë këtu edhe aksidentet e shkaktuar nga përdorimi i skuterave elektrikë, të cilët i respektojnë më pak nga të gjithë rregullat e qarkullimit. I sheh kudo, kundër sensit”, tha Brataj.
Përdoruesit e monopateve apo skuterave elektrikë nuk ndëshkohen me gjobë edhe kur ata shkelin rregullat e qarkullimit.
“Monopatet janë njëlloj si motori apo biçikleta. Shikon akoma biçikleta në rrugë kur ekziston korsia e biçikletave apo monopate që futen në mes të makinave në rrugë duke u bërë burim aksidentesh”, shtoi Brataj.
Kodi Rrugor e ka të përcaktuar ndëshkimin me gjobë edhe për këmbësorët, që nuk respektojnë semaforin apo vizat e bardha por në këtë rast kodin nuk e respekton as policia.