Fondet e investimit janë grupim asetesh të cilat investohen nga shoqëria administruese përmes strategjive të investimit, me qëllim arritjen e objektivave të vendosur në prospektin e fondit.
Në këtë mënyrë, fondet krijojnë portofole të diversifikuara të cilat janë relativisht të vështira për t’u krijuar nga një investitor individual.
Fondet e investimit janë një alternativë e re për tregun financiar shqiptar, prezantuar për herë të parë në fillimin e vitit 2012.
Ka disa lloje të ndryshme të fondeve të investimit në dispozicion dhe hulumtimi i tyre mund të jetë i lodhshëm për disa investitorë.
Identifikimi i qëllimeve dhe toleranca ndaj riskut
Para se të investoni në ndonjë fond, së pari duhet të identifikoni qëllimet tuaja për investimin. Pse po investoni? Për çfarë do t’i përdorni paratë kur t’i tërhiqni? Çfarë kthimi synoni?
Ju gjithashtu duhet të merrni parasysh tolerancën personale ndaj riskut. A mund të pranoni luhatje të mëdha në vlerën e portofolit? Apo, është më i përshtatshëm një investim më konservator? Një risk më i lartë, zakonisht pritet të sjellë kthime më të larta, por kjo nuk është e garantuar. Çdo fond ka një tregues rreziku, i cili mund të jetë nga 1 deri në 7. Ky ka për qëllim të ju japë një ide mbi luhatshmërinë e çmimit të kuotës së fondit bazuar në historikun e fondit. Por, në varësi të objektivave të fondit (të cilat janë të ndryshueshme), edhe ky tregues mund të ndryshojë.
Së fundi, duhet të caktohet një horizont kohor i parashikuar. Sa kohë dëshironi ta mbani investimin? A parashikoni se do ju duhen para në të ardhmen e afërt? Disa fonde investimi kanë tarifa hyrjeje dhe daljeje nga fondi dhe kjo mund të marrë një pjesë të madhe të kthimeve nëse qëndroni në fond për një periudhë të shkurtër. Çdo fond ka një horizont investimi të rekomanduar dhe nuk këshillohet të investoni në fonde që kohëzgjatjen e rekomanduar në fond e kanë më të madhe se parashikimi juaj. Për të zbutur ndikimin e tarifave, një horizont investimi prej 3-5 vitesh është ideal.
Tarifat
Shoqëritë që administrojnë fondet e investimit, fitojnë para duke i ngarkuar tarifa investitorit. Është e rëndësishme të kuptoni llojet e ndryshme të tarifave që ka përcaktuar fondi përpara se të bëheni anëtar. Disa nga këto tarifa përfshijnë:
- Tarifën e administrimit të fondit;
- Tarifat e hyrjes dhe/ose daljes nga fondi;
- Tarifën e auditimit vjetor;
- Tarifën e bankës depozitare;
- Tarifën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare;
- Etj.
Vlen të theksohet se jo çdo fond i ka të gjitha tarifat e mësipërme, prandaj ju takon të lexoni dhe krahasoni prospektet e fondeve për të kuptuar se cilat prej tarifave do të ju ngarkohen.
Vlerësimi i menaxherëve dhe rezultateve të së kaluarës
Ashtu si me të gjitha investimet, është e rëndësishme të hulumtoni rezultatet e kaluara të një fondi. Të gjithë e kemi dëgjuar këtë paralajmërim të kudondodhur: “Performanca e kaluar nuk eshte garanci për rezultatet e ardhshme.” Megjithatë ka një listë me pyetje që duhet t’i bëni vetes kur shqyrtojni historikun e një fondi:
A arriti menaxheri i fondit rezultate që ishin të përarfërta me kthimet e fondeve të tjera me strategji të ngjashme?
A ishte fondi më i paqëndrueshëm se fondet e tjera në të njëjtën shkallë rreziku?
A kishte qarkullim të lartë të investitorëve në fond?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’ju japin një pasqyrë sesi ka funksionuar menaxhimi i fondit dhe do të ilustrojë prirjen historike të fondit për sa i përket qarkullimit, kthimit dhe luhatshmërisë.
Literatura e fondit
Para se të antarësoheni në një fond, duhet të rishikoni dy materiale shumë të rëndësishme të fondit: Prospektin dhe Informacionin Kryesor për Investitorin. Prospekti i fondit duhet t’ju japë çdo informacion mbi fondin, përfshirë si më poshtë:
- Organet drejtuese të shoqërisë administruese të fondit;
- Politikën dhe objektivat e investimit;
- Faktorët e rrezikut;
- Mënyrën e blerjes dhe shlyerjes së kuotave;
- Tarifat e fondit
- Etj.
Antarësimi në fond
Pasi keni zgjedhur fondin që ju përshtatet më shumë, duhet të kontaktoni me personat e autorizuar për lidhjen e kontratës me shoqërinë administruese të fondit. Në kontratë duhet të caktoni nëse investimi juaj do të jetë një shumë fikse ose do të nënshkruani për një plan investimi që ju mundëson të investoni në shuma të vogla periodikisht. Investimi është një lojë në të cilën rrisni shanset tuaja nëse luani në përiudhën afatgjatë dhe vazhdoni të investoni me kalimin e kohës. Prandaj ne sugjerojmë që të zgjidhni një plan investimi dhe të investoni në periudha periodike sipas mundësive tuaja.
Konkluzion
Zgjedhja e një fondi investimi mund të duket si shumë punë, por të bëni pak kërkime dhe të kuptoni objektivat tuaja, e bën më të lehtë. Nëse e kryeni këtë analizë përpara se të zgjidhni një fond, do të rrisni shanset tuaja për sukses.
Fondet e Investimit në Shqipëri
Gjatë vitit 2022, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre 13 fonde investimi.
Sipas analizës së AMF mbi ecurinë e tregut të fondeve të investimeve, gjatë vitit 2022, vlera neto e aseteve të tyre arriti rreth 45.06 miliardë lekë.
Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat vitin 2021.
Numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit gjatë 2022 është 28,953.