Në fillim të javës, grupi grek Alpha Bank zyrtarizoi shitjen e filialit shqiptar te grupi hungarez OTP për shumën e 55 milionë eurove.
Vlera e ofertës fituese rezultoi më e ulët se pritshmëritë e palës shitëse, por pjesërisht më e ulët edhe se projeksionet e disa prej pjesëmarrësve në garë. Alpha kërkonte një raport ‘price to book value’ afërsisht 1, ose e thënë ndryshe një çmim sa vlera e plotë e kapitalit të saj aksioner, i matur me standardet kontabël lokale të Bankës së Shqipërisë. Duke qenë se kapitali i bankës sipas këtij standardi ishte afërsisht 65 milionë euro, çmimi i shitjes prej 55 milonë eurosh përkthehet një raport ‘price to book value’ prej 0.85.
Çmimi, i matur në terma relativë ishte lehtësisht më i lartë krahasuar me atë të shitjes së Tirana Bank në vitin 2019, që u pagua me një vlerë afërsisht sa 0.8 herë kapitalin e saj aksioner. Nëse kapitali do të vlerësohet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), çmimi i shitjes së Alpha Bank do të rezultonte afërsisht sa 0.73 e kapitalit, por përgjithësisht si referencë për çmimin në këto raste përdoret kapitali sipas kërkesave rregullatore, sepse ai përcakton edhe nevojat për injektime të mëtejshme në të ardhmen.
I matur në vlerë absolute, çmimi i shitjes së Alpha Bank rezultoi pak më i ulët se ai prej 57.3 milionë eurosh i paguar në vitin 2019 për Tirana Bank nga konsorciumi i përbërë prej grupit Balfin dhe bankës maqedonase Komercijalna Banka. Për shkak të konkurrencës së lartë dhe gjendjes relativisht të shëndetshme të bilanceve, palët në proces krijuan pritshmëri për një çmim që mund të kalonte vlerën e 60 milionë eurove. Madje, për këtë arsye, njëra prej bankave që kryen due diligence, Fibank, u tërhoq nga gara.
Ekspertët besojnë se ky çmim shitjeje jep për momentin një referencë për faktin sesa vlejnë aktualisht në treg bankat tregtare shqiptare. Megjithëse Alpha ishte një bankë relativisht e shëndetshme dhe me raport të ulët të kredive me probleme, as ajo nuk arriti të merrte një çmim që minimalisht të prekte vlerën e kapitalit të saj aksioner. Kjo dëshmon se pritshmëritë e investitorëve për tregun shqiptar ende nuk janë shumë entuziaste.
Megjithëse treguesit e rentabilitetit në terma mesatarë i janë kthyer niveleve dyshifrore, ato ende nuk mjaftojnë për të joshur investime të mëdha. Përmasa e kufizuar e tregut mund të jetë gjithashtu një faktor në këtë drejtim. Muajin e kaluar, grupi Raiffeisen arriti të shiste filialin në Bullgari me një çmim sa 1.6 herë vlera e kapitali aksioner. Por, rasti i Alpha Bank në Shqipëri tregon se potencialet e tregut shqiptar, në sytë e investitorëve, janë larg atyre të tregjeve më të mëdha të rajonit. Madje, vetë Alpha Bank vendosi ta shesë filialin shqiptar pikërisht me qëllim për t’i rialokuar paratë e përfituara nga transaksioni drejt bankës së saj në Rumani.
Megjithëse oferta fituese ka rezultuar pak më e ulët se projeksionet, për grupin hungarez OTP investimi është ndjeshëm më i lartë në raport me atë të kryer për blerjen e Societe Generale Albania, kur, sipas të dhënave jozyrtare, pagoi rreth 32.5 milionë euro.
OTP bëhet huadhënësi i dytë më i madh në treg
Blerja e Alpha Bank Albania përmbush ambicien e grupit hungarez për t’u zgjeruar edhe më shumë në tregun shqiptar. Kjo ambicie ishte bërë e qartë që në vitin 2019, menjëherë pas hyrjes në tregun shqiptar. OTP fitoi garën me tre bankat rivale me kapital vendas, ABI bank, Tirana Bank dhe Union Bank, të treja subjekte në ekspansion gjatë viteve të fundit.
Duke qenë një grup bankar i shëndetshëm dhe fokus kryesisht bankingun retail, OTP nuk u prek shumë nga kriza e gjatë financiare, madje e shfrytëzoi këtë rast për t’u zgjeruar më shumë në tregjet e Europës Juglindore.
Me blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut e OTP Bank Albania arrin në rreth 10.9% të aktiveve totale të tregut (mbështetur në të dhënat e tremujorit III 2021). Me këtë madhësi, OTP ngelet banka e pestë më e madhe në tregun shqiptar, por i afrohet ndjeshëm bankës Intesa Sanpaolo Albania, që zotëronte 11.8% të tregut në fund të shtatorit.
Pjesa e tregut të kredisë do të rritet edhe më shumë. Nga 10.4% që mban aktualisht, OTP Albania do të arrijë në 16.2% të tregut, duke u bërë banka e dytë më e madhe huadhënëse e ekonomisë shqiptare, pas Credins Bank.
Në depozita, OTP Bank Albania mban aktualisht 6.5% të tregut. Duke shtuar edhe pjesën e tregut që mbahet nga Alpha Bank, pas bashkimit OTP do të arrijë të zotërojë rreth 11.3% të totalit të depozitave të tregut. Edhe në depozita, OTP do të ngelej banka e pestë më e madhe në sistem, por me një pjesë tregu të rritur ndjeshëm./Monitor