Në gjysmën e parë të këtij viti, dolën në pension më shumë se 18 mijë të moshuar, ndërsa lindën vetëm 10 mijë e 283 bebe.
“Ky është një shqetësim i ngritur veçanërisht vitet e fundit. Kjo po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit, që rrjedhimisht ka ulur lindjet e reja”, shprehet për A2 CNN sociologia Arjana Muçaj.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë ndërkohë se personat nga 65 deri në 85 vjeç kanë tejkaluar për herë të parë atë të fëmijëve deri në 14 vjeç, me rreth 11,300 të moshuar më shumë.
“Ne parashikojmë se plakja e popullsisë do të vijë me ritme edhe më të shpejta duke na prekur në të gjithë dimensionin kombëtar”, thotë pastori Akil Pano.
Parashikimet pesimiste po konfirmohen edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave.
Në harkun e muajve lindën 10 mijë e 283 bebe, ndërsa humbën jetën 10 mijë e 211 vetë. Shtesa natyrore e popullsisë ishte vetëm 72 lindje më shumë se vdekje.
“Dhe kjo do të thotë se të gjithë ne duhet të reflektojmë dhe të bëhemi të përgjegjshëm për të ardhmen e vendin tonë dhe kjo bëhet vetëm me masa konkrete”, shton Muçaj.
“Duhen mbështetur familjet e reja duke i mbështetur ato, pasi në të kundërt, të gjithë do të përballemi me pasoja afatgjata. Ne të komuniteteve fetare bëjmë tonën duke ushqyer shpresën, por qeveria nga ana tjetër duhet të ofrojë masa.”
Si pasojë e plakjes së popullsisë, vendi po vuan për fuqi punëtore si kurrë më parë, ndërsa skema e pensioneve çdo vit e më tepër, por gllabëron më shumë fonde nga buxheti i shtetit.
LEXO EDHE: 31 mijë të moshuar jetojnë vetëm në Shqipëri/ Pse pensionet private janë domosdoshmëri urgjente?