SkyWeb.al raporton për të dhënat e fundit të tregut të sigurimeve në Shqipëri dhe Kosovë
Shqiptarët, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, mbeten ndër qytetarët që sigurojnë më pak jetën e tyre krahasuar me vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Këtë e raportonte sot në një artikull analitik SkyWeb.al, duke iu referuar raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare të të dhënave të sigurimeve Xprimm.
Të dy vendet renditen në fund të listës për peshën që zë sigurimi i jetës ndaj produkteve të tjera të sigurimit.
Në Shqipëri, sigurimi i jetës përbën vetëm 9% të totalit të primeve të shkruara bruto, ndërsa tregu dominohet nga sigurimi i detyrueshëm motorik (MTPL), që zë afro 60% të tregut të përgjithshëm.
Megjithatë, sipas të dhënave të Xprimm, të cituara nga Skyweb.al, tregu i sigurimeve të jetës ka shënuar një përmirësim të dukshëm gjatë vitit 2025.
Shqipëria dhe Hungaria rezultojnë me rritjen më të madhe të primeve në këtë kategori në gjysmën e parë të vitit, me një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vlera totale e primeve të sigurimit të jetës në Shqipëri arriti në 11.7 milionë euro, nga 10.2 milionë euro që ishte një vit më parë, një tregues se tregu po rritet në mënyrë të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, Shqipëria renditet e katërta në Evropën Qendrore dhe Lindore për rritjen e dëmshpërblimeve, me një rritje prej 16% të dëmeve të paguara gjatë periudhës së raportuar.
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), produkti më i përhapur në këtë kategori mbetet sigurimi i jetës së debitorit, i cili në tetë qarqe të vendit është i vetmi lloj sigurimi jete që qytetarët zgjedhin.
Ky produkt lidhet kryesisht me kreditë bankare për pasuri apo banesa, ku sigurimi kërkohet si kusht i detyrueshëm.
Kjo situatë tregon se, ndonëse interesi për sigurimin e jetës po rritet, tregu mbetet ende i varur nga detyrimet bankare dhe jo nga ndërgjegjësimi individual për rëndësinë e mbrojtjes financiare afatgjatë.
Ekspertët e sigurimeve, të cituar nga SkyWeb.al, theksojnë se nevojitet edukim financiar dhe promovim më i madh i produkteve të sigurimit të jetës, për të nxitur qytetarët të mendojnë për të ardhmen dhe të mbrojnë veten dhe familjet e tyre nga rreziqet ekonomike të papritura.