Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së ka qenë i ftuar në emisionin Scan Live me Jenida Vladi, për modelin e suksesshëm që Gjermania aplikon prej 5 vitesh, që të rrisë “shoferët e mirë” në qarkullim.
“Ne po përpiqemi që këtë shembull ta vendosim në kontekstin tonë, nëse do të kemi sistemet e duhura, garancitë e duhura për ta aplikuar dhe për të garantuar që kriteret që duhet të ketë ky lloj shërbimi për të marrë lejen e drejtimit përpara moshës 18 vjeç, të mund të funksionojnë me siguri” u shpreh Blendi Gonxhja në një intervistë për SCAN TV.
Ndër të tjera, Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së tha se e njëjta praktikë, po përqafohet edhe nga Franca dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.
“Pse është kjo një lëvizje që shton sigurinë dhe jo një lëshim peri? Është e provuar nga Gjermania që sa më shumë orë cilësore të kemi të rinj, sa më herët të kemi orë cilësore, të shoqëruar duke i dhënë mjetit në prezencë të prindit apo të afërmit që e ka rekordin të pastër në patentën e vet, aq më mirë ky shofer sillet nesër në jetën e vet si shofer.
Është e provuar që shoferë të tillë dalin në jetë dhe sillen më mirë sepse kanë filluar hapat e parë në timon nën sytë e dikujt. Kjo quhet patentë me shoqërim dhe ne nuk kemi asnje kompleks që të thyejmë dhe një tabu tjetër nga një sërë tabush të tjera që kemi thyer” theksoi z. Gonxhja.