“Fitimet para taksave të UNIQA Group u rritën në vit me pothuajse 20% në gjysmën e parë të 2024, mbështetur nga rritja 4.5% në vit e regjistruar në Austri, 12.3% në kompanitë në Europën Qëndrore dhe Lindore, një ngarkesë e moderuar dëmesh dhe performancë shumë e mirë në investime”.
Kështu e nis artikullin e tij Xprimm, portali dedikuar tregut të sigurimeve në Europë, teksa i referohet shifrave të raportit për 6 mujorin e parë 2024 të “UNIQA Insurance Group”.
Primet e shkruara nga “UNIQA Insurance Group” u rritën me 8.8% duke arritur në 4,07 miliardë euro në 6 mujorin e parë 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mbi të gjitha, sigurimi i pronës (+10.7%) dhe sigurimi shëndetësor (+10.2%) kontribuan në këtë rritje.
Të ardhurat nga sigurimet në përputhje me SNRF 17 në Grupin UNIQA u rritën në gjysmën e parë të 2024 me 10.4% në 3,211.6 milionë euro.
Rezultati teknik i UNIQA-s u rrit lehtë në 307.2 milionë euro ndërsa të ardhurat neto nga investimet u rritën në 437.7 milionë euro, vijon Xprimm, që citon edhe CEO-n e Grupit, Andreas Brandstetteŕ, i cili flet për ndikimin e ndryshimeve klimatike edhe në sektorin e sigurimeve dhe themelimin e kompanisë së re, “UNIQA Sustainable Business Solutions”.
“Ne po punojmë intensivisht për efektet e krizës klimatike dhe në veçanti për kontributin që mund të japim dhe mënyrën e zbatimit të masave parandaluese. Kjo është arsyeja pse ne lançuam kompaninë e re “UNIQA Sustainable Business Solutions”, e cila po ndihmon klientët tanë të korporatave të mbrohen nga rreziqet, përtej sigurimit tradicional.
LEXO EDHE: Fatkeqësitë natyrore, shëndetësia dhe pensionet/ Çfarë kërkon Andreas Brandstetter
UNIQA në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut
Që prej marsit 2007 “UNIQA Insurance Group” është pjesë edhe e tregut rajonal të sigurimeve, fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, përmes Grupit “SIGAL UNIQA”.
Kompania me seli në Vjenë, e shtrirë në 17 shtete të Europës, me një potencial të jashtëzakonshëm dhe me një eksperiencë mbi 200-vjeçare në industrinë e sigurimeve, ishte “dallëndyshja e parë” nga Perëndimi që vendosi të investojë në tregun financiar shqiptar ndërsa sot, përmes Grupit “SIGAL UNIQA”, është zgjedhja e parë për sigurimin e Jetës, Pronës, Shëndetit, Automjetit apo Pensionit Privat.