Krahasuar me vitin 2021, gjatë vitit 2022 arkëtimet për kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore kanë një performancë rritje me 10.8%, ndërsa nga tatimet dhe doganat ka një rritje në 15.6%.
Duke analizuar barrën tatimore rezulton se, mesatarja për Shqipërinë është 141.4 mijë lekë në vit për banorë, ndërsa në muaj rezulton të jetë 11.8 mijë lekë për çdo banorë.
Barra tatimore përfshin duke filluar nga TVSH-ja që paguan secili blerës për mallra shërbime e deri te taksat e tatimet që çdo individ i ka të detyruara t’i paguajë.
Por duke e parë barrën tatimore sipas bashkive më të mëdha në vend, sipas të dhënave të qëndrës ekonomike Altax, Tirana rezulton se është qarku që kontribuon më shumë në taksa dhe tatime. Mesatarisht secili banor i qarkut të Tiranës ka paguar 376.2 mijë lekë në vit gjatë 2022.
Bashkitë e tjera të vendit kanë më pak se gjysma e barrës tatimore të banorëve të kryqytetit.
Gjirokastra është e dyta për barrën tatimore, ku secili banor ka paguar mesatarisht 138.9 mijë lekë në vitin 2022. Më pas vjen qarku i Vlorës, por duke mos e përfshirë Sarandën, ku mesatarisht secili banor ka paguar 137.9 mijë lekë në vit.
Sic vihet re dhe në grafikë rezulton se banorët e Lezhës kanë paguar 135 mijë lekë në vit. Kurse Durrësi ka barrë tatimore mesatare vjetore prej 131.4 mijë lekë. E vijuar me Sarandën me 130 mijë lekë, Berati me 108.9 lekë, Fieri me 107.5 lekë, Korça me 101.4 lekë për banorë në vit.
Ndërkohë banorët e Elbasanit kanë paguar 97.7 mijë lekë në vit, kurse banorët e Shkodrës paguan më pak, pra 83.9 mijë lekë. Kukësi dhe Dibra kanë nivelin më të ulët të barrës tatimore ku kanë paguar përkatësisht 80.7 mijë lekë dhe 67.7 mijë lekë për banorë në vit.