Gjatë vitit 2023 shqiptarët kanë tërhequr më shumë para se një vit më parë në pikat e ATM-ve, tregojnë të dhënat më të fundit nga “Banka e Shqipërisë”.
Shifrat flasin për rreth 334 mld lekë të tërhequra ‘cash’, nga rreth 280 miliardë lekë që u tërhoqën në vitin 2022. Pra, u tërhoqën 19% më shumë para ose në vlerë absolute 54 miliardë lekë më shumë.
Përsa i përket numrit të transaksioneve, të dhënat tregojnë se brenda vitit janë kryer në total 444 miliardë transaksione ose 21.9% më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.
Por, rritja e transaksioneve është më e ulët se ajo e vlerës së tërhequr dhe kjo do të thotë se gjatë vitit 2023 vlera mesatare e tërhequr në një transaksion nëpër pikat ATM në Shqipëri ka qenë 15,800 lekë.
Nga ana tjetër, edhe depozitimet janë paraqitur me rritje si në numër ashtu edhe në vlerë.
Gjatë vitit 2023, shqiptarët kanë kryer 34% më shumë depozitime, vlera e të cilave arrin në 769 milionë lekë.
Po ashtu, në nisje të vitit 2024, ka patur një numër të konsiderueshëm të transaksioneve të kryera me karta në bankomat.
Në janar të këtij viti u kryen gjithsej 1.6 milionë tërheqje me vlerë totale 2.7 miliardë lekë dhe 73,865 depozitime, me vlerë totale 36 milionë lekë. Ndërsa, përsa i përket tërheqjeve dhe pagesave nëpërmjet terminaleve POS në vitin 2023 u kryen 35% më shumë pagesa dhe 44% më shumë tërheqje se në vitin 2022.
Të dhënat e raportuara nga Banka e Shqipërisë për tërheqjet nëpër pikat ATM nuk klasifikohen vetëm kartat e lëshuara nga bankat që operojnë në vendin tonë, por edhe nga të huajt apo emigrantët të cilët tërheqin cash me karta nga bankat e huaja.