Siguria Rrugore vijon të jetë një problem për Shqipërinë. Sipas statistikave zyrtare të INSTAT, në peridhën janar-korrik 2021 në 114 aksidente rrugore të regjistruara kanë humbur jetën 118 persona, një rritje kjo me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Në 7-mujorin e parë të këtij viti u aksidentuan 1,050 qytetarë ndërsa numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 27,2% të numrit total të aksidenteve.
Tirana regjistron numrin më të lartë të aksidenteve, me rreth 40%, ndjekur nga qarqet Lezhë, Fier, Elbasan dhe Durrës.
Sa paguajnë kompanitë e sigurimeve në rast aksidentesh?
Shtimi i aksidenteve rrugore pasojë sjell edhe shtimin e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve.
Për çdo viktimë në aksident, dëmi është afërsisht 60 milionë lekë. Pra, për 118 viktimat e sipërpërmendura kompanitë e sigurimeve duhet të paguajnë plot 7 miliardë e 80 milionë lekë. Ndërsa për të plagosurit 10,5 miliardë lekë.
Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, periudha janar-qershor e këtij viti e ka tejkaluar shifrën e dëmeve motorrike të paguara përgjatë gjithë vitit 2020.
Sipas AMF, gjatë vitit 2020 janë paguar afro 4 miliardë lekë dëme motorrike (3,980,417,000).
Edhe për periudhën Janar-Qershor 2021, shifrat kanë qenë të larta: plot 4.34 miliardë lekë.
Përfituesit më të mëdhenj nga dëmet shëndetësore
Sot në dosjet aktuale në sistemin tonë gjyqësor renditen me qindra çështje të hapura në gjykatë nga kompanitë e sigurimeve. Të gjitha këto çështje janë mbi dëmet shëndetësore duke përfshirë: vdekje, plagosje të lehta apo të rënda, dëme të qenësishme apo morale etj. Vlerat monetare për këto lloje dëmesh janë të mirëpërcaktuara në Rregulloret ekzistuese nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe në Vendimet unifikuese në gjykatë.
Por cili është realiteti sot dhe çfarë po ndodh me të vërtetë?
Ajo që vëzhgojmë me vigjilencë maksimale nga ana e kompanive të sigurimit është që këto dëme shëndetësore janë kthyer gjithnjë edhe më shumë në nje mundësi për gjueti mjeshtërore nga ana e avokatëve.
Fillimisht, avokatët i ‘peshkojnë’ klientët e tyre në Spitalin e Traumës apo pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i njohur shkurt si “Morgu i Tiranës”, ku këta avoketër ‘kapin rastin’ dhe hidhen në sulm duke bërë premtime të menjëhershme. Ata trumbetojnë se ‘gjoja’ kompanitë e sigurimit nuk paguajnë dhe se ata, pra këta avokatë, i detyrojnë kompanitë që të paguajnë. Një prokurë e posaçme dhe e menjëhershme për shkak të gjendjes së vështirë ku mund të ndodhen klientët krijon një nyje lidhëse nëpërmjet së cilës mbërthehet viktima e rradhës.
Nëpërmjet prokurës bllokohet pasuria, shtëpia, biznesi apo çfarëdolloj aseti tjetër që familja mund të ketë dhe këtu fillon kalvari që mund të zgjasë nga 2 deri në 5 vjet.
Në këtë mënyrë, klientët humbasin mundësinë që t’i drejtohen drejtpërdrejtë kompanive të sigurimit për të marrë dëmshpërblimin e tyre dhe se gjykata është e detyruar me ligj që të zbatojë të gjithë kuadrin rregullator dhe legjislacionin në fuqi ku specifikohen të gjitha rastet dhe vlerat e tyre përkatëse të kompanesimit që janë të detyrueshme për të gjitha kompanitë e sigurimit në çdo kohë. Nga ana tjetër, kompanitë e sigurimit kanë marrë të gjitha masat për të pasur në dispozicion të tyre krijimin dhe mbajtjen të disponueshme të fondeve rezervë të cilat janë specifikisht të dizenjuara për t’u ardhur menjëherë në ndihmë klientëve të dëmtuar të këtyre kompanive.
Por këta avoketër e kanë përsosur aq shumë këtë ‘mbrojtje izoluese’ deri në atë masë sa kompanitë e sigurimit nuk kanë madje as të drejtën që të komunikojnë me klienin(ët) e tyre për rastin konkret, të kërkosh një takim ballë për ballë me ta dhe që të mund t’i ofrojmë atë vlerë pagese që është faza përmbyllëse e detyrimeve tona kontraktuale me klientët tanë. Ky qark i mbyllur abuziv shpesh degjeneron deri në sulme brutale nga ana e këtyre avokatëve ndaj kompanisë së sigurimeve pasi që sipas tyre ne nuk duhet në asnjë mënyrë të komunikojmë me klienin(ët) e tyre. Po kush dëmtohet në këtë rast?
Viktima imediate më e prekur drejtpërdrejtë është klienti. Në këtë rast, ata goditen dy herë, herën e parë, nga ngjarja aksidentale që i ka ndodhur, dhe hera e dytë, duke mbetur peng i procedurave të administrimit abuziv nga ana e avokatëve të cilët në çdo rast kanë treguar se ‘mund t’i përthyejnë ligjet dhe mbrojtjen’ në përfitim të tyren dhe jo të klientëve që përfaqësojnë ose që ‘pretendojnë’ se përfaqësojnë duke i robëruar ata nga të drejtat e tyre me ligj.
Një situatë e tillë përbën dhe ka krijuar një shqetësim të madh, në rradhë të parë, për klientin i cili nuk dëmshpërblehet, dhe së dyti, për ne si kompnia sigurimi duke mos na lejuar që të zbatojmë detyrimet tona kontraktuale me klientin(ët) tanë, si edhe duke ndikuar shpesh herë në krijimin e një imazi të gabuar dhe jo të mirë ndaj kompanive të sigurimit, që rezultojnë në dobësimin e besimit të klientëve tek ne dhe jo në fuqizimin e partneritetit tonë. Ndërkohë që, këta avoketër ‘notojnë’ me paratë e viktimave të aksidentit(eteve). Por ne jemi këtu, dhe ne paguajmë në kohë reale. Ky është një fakt!
Shmangni avokatin. Askush nuk ju mbron më mirë se vetë kompania e sigurimit.