Një automjet, dy ditë më parë, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë poshtë urës në Rrugën e Arbrit, pranë zonës së Brarit.
Ngjarje të tilla në këtë segment rrugor janë të përsëritura. Portale dhe rrjete të ndryshme sociale ngrinin me të drejtë një pyetje: si ka mundësi që barrierat metalike nuk e kanë mbajtur dot brenda rrugës automjetin?
Në aksidentin e fundit, ashtu si në disa raste të mëparshme, barrierat anësore nuk e kanë kryer funksionin e tyre.
Këto barriera janë projektuar për të zbutur energjinë e përplasjes dhe për ta rikthyer automjetin në rrugë, duke e anuar atë, por ndodhi e kundërta: mjeti përfundoi në humnerë, ndërsa barrierat nuk arritën ta ndalonin.
Përsëritja e shpeshtë e këtij skenari ngre një pyetje të domosdoshme:
A është rishikuar cilësia e punimeve, projektimi i barrierave dhe standardet e sigurisë në një nga veprat më të përfolura infrastrukturore të vendit?
Barrierat mbrojtëse dhe funksioni i tyre
Barrierat anësore metalike, të njohura si W-beam guardrails, kanë për qëllim përthithjen e energjisë së përplasjes dhe drejtimin e automjetit anash, për ta mbajtur atë brenda korsisë së qarkullimit.
Në praktikë, megjithatë, situata në shumë segmente të Rrugës së Arbrit është krejt ndryshe.
Në disa vende barrierat mungojnë, në të tjera janë të shtrembëra, të dëmtuara ose të paqëndrueshme. Pas përplasjeve më të lehta, duket sikur autoritet nuk janë kujtuar t’i riparojnë dhe përforcojnë ato.
Në kushte normale ato duhet të përballojnë përplasjet e automjeteve të mesme, por janë shembur edhe pas goditjeve minimale, duke lënë mjetet të përfundojnë në terrene të pjerrëta ose poshtë urave.
Siguria rrugore është thelbësore për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së udhëtarëve. Ajo ndikon drejtpërdrejtë në kostot ekonomike, sociale dhe psikologjike që sjellin aksidentet automobilistike në komunitetet tona.
Rrugët nuk kanë vetëm funksion ndërlidhës mes destinacioneve, masat si sinjalistika, kufizuesit e shpejtësisë, ndriçimi i mirë dhe barrierat mbrojtëse e ulin ndjeshëm rrezikun e përplasjeve, sidomos kur rrugët janë të projektuara dhe mirëmbajtura sipas standardeve.
Barrierat metalike janë vetëm një ndër elementet e sigurisë së qarkullimit në Rrugën e Arbrit, për të cilin ngrihet një pikëpyetje e madhe:
A e kanë kryer me përgjegjshmëri dhe sipas ligjit punën e tyre institucionet përgjegjëse për projektimin, mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen teknike të kësaj rruge?
Problem edhe në terma të kostos financiare