Shqipëria ka rritur me 310 kilogramë rezervën e arit vitin e fundit. Në tunelet e Bankës Qendrore ka tashmë 3,42 tonë shufra fizike ose lingota ari nga 3.11 tonë vitin e shkuar.
“Rritja e rezervës së arit ka shërbyer dhe shërben për të rritur shkallën e sigurisë së ekonomisë kombëtare, pavarësinë në kuptimin ekonomik të fjalës.
Sot, ari nuk ka rëndësinë e dikurshme, por e rifiton atë sa herë ka periudha krizash”, shprehet për A2 Zef Preçi, ekspert ekonomie.
Ndonëse ka rritur sasinë përmes blerjeve në tre vitet e fundit, Shqipëria ka sasi të ulët të rezervave të arit krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vendi ka aktualisht një sasi mbi 11 herë më e ulët se Serbia apo gati tre herë më e pakët se Maqedonia e Veriut. Mali i Zi me më pak se 1.2 ton dhe Kosova që nuk ka fare rezerva listohen të fundit në rajon.
“Në fakt Serbia do duhej që pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë të ndante edhe rezervën valutore. Ajo nuk e bëri, ndaj edhe sot Kosova nuk ka rezerva ari”.
Pavarësisht se “Standardi i arit” e ka humbur thuajse gjithë kuptimin, për ekspertët mbetet e rëndësishme zgjerimi i rezervës së arit të vendit.
Të dhënat tregojnë se në Botë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rezervën më të madhe të arit në botë me 7 mijë 133 tonë, ndjekur nga Gjermania, Italia, Franca, Rusia dhe Kina.