Në muajin Shkurt 2023 numërohen 88 aksidente rrugore nga 77 të ndodhura në muajin Shkurt 2022, thuhet në raportin e publikuar nga Instituti i Statistikave.
Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 14,3%
Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 123 persona nga 100 në muajin Shkurt 2022.
Aksidentet rrugore, në 81,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 35-44 vjeç, duke zënë 22,7 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 11,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Shkurt 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur në ditët e Hëna dhe të Enjte, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të Mërkurave.
Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00-24:00 duke përbërë 29,5 % të numrit gjithsej të aksidenteve në muajin Shkurt 2023.
Në dymujorin e parë të vitit 2023, numërohen 172 aksidente rrugore nga 184 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 6,5 %.
Numri i të aksidentuarve është 242 persona nga 247 persona të aksidentuar në dymujorin e parë të vitit 2022.
Aksidentet rrugore, në 19,2 % të rasteve, në dymujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur me 13,8 %.