Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë përshpejtuar rritjen gjatë muajve të verës.
Sipas të dhënave paraprake të Eurostat për periudhën janar- gusht 2022 janë regjistruar gjithsej 6,860 aplikime për azil në Be nga shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, në raport me 2019-n, aplikimet mbeten 41% më të ulëta.
Shtetet me aplikimet më të larta mbeten Franca, me 46% të aplikimeve totale për 8 mujorin dhe Gjermania me 12%. Dëshira e shqiptarëve është më e larta në Europë edhe në krahasim me Ukrainën që është në luftë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se në gusht aplikimet për azil nga shqiptarët ishin gati 1100, ndërsa të Ukrainës në korrik (e dhëna e fundit e disponueshme) ishin 950. Për më tepër që Ukraina ka një popullsi prej 43 milionë banorësh, ndërsa Shqipëria ka zyrtarisht rreth 2.8 milionë banorë.
Aplikimet totale në BE
Sipas Eurostat, në korrik 2022, 66.545 aplikantë për azil për herë të parë (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 265 persona më shumë se në qershor 2022, që, në terma relativë, do të thotë një rritje mjaft e vogël prej 0.4%.
Krahasuar me korrikun 2021 (44,760), ka pasur një rritje prej 49% në numrin e përgjithshëm të kërkesave.
Në korrik 2022, kishte edhe 5,860 aplikantë të mëvonshëm (persona që riaplikuan për azil pasi ishte marrë një vendim për një kërkesë të mëparshme), një rënie prej 7% krahasuar me qershorin 2022 dhe një rritje 2% krahasuar me korrikun 2021.
Në korrik 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (9 010 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (8 150), të ndjekur nga venezuelianët (3 665), pakistanezët (3 555) dhe kolumbianët (3 505).
Në mars 2022, pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2 370 në shkurt në 12 890 në mars) për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Shifrat kanë ardhur duke u zvogëluar çdo muaj: 1 510 në prill, 1 295 në maj, 975 në qershor dhe 950 në korrik.
Kjo ndodh edhe sepse njerëzit që ikin nga Ukraina përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme.
Me 14 095 aplikantë për herë të parë të regjistruar në korrik 2022, Gjermania vazhdoi të ishte shteti anëtar që raportonte numrin më të madh të aplikantëve për herë të parë për azil në BE, duke përbërë 21% të totalit. Gjermania u pasua nga Franca (10 890, 16%) dhe Austria (10 625, 16%), Spanja (8 745, 13%) dhe Italia (5 105, 8%).
Burimi: Eurostat
LEXO EDHE: Pas tre vjetësh Shqipërisë i shtohen edhe 45 mijë pensionistë të tjerë që duan 228 milionë euro